Kultura e sporti bashkë, nis Festivali Ndërkombëtar i Filmit Sportiv “Prishtina 2023”
Sport
Lexohet për: 2 min.
8 muaj më parë
Linku u kopjua

U mbajt sot ceremonia e hapjes së Festivalit të 3-të Ndërkombëtar i FICTS Filmit Sportiv “Prishtina 2023”, i cili po organizohet nga Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) në mbështetje të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Tetë filma sportivë vendorë të metrazhit të shkurtër dhe të gjatë, të cilët pasqyrojnë vlerat olimpike dhe paralimpike, sportistë, ish-sportistë, trajnerë dhe kontribues të sportit të Kosovës do të shfaqen gjatë këtij festivali, raporton KosovaPress.

Me rastin e ceremonisë hapëse të edicionit të tretë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Sportiv “Prishtina 2023”, foli anëtarja e KOK-ut Besire Domaniku, e cila tha se kjo është ngjarje tjetër e rëndësishme ku përmes saj bën bashkë sporti dhe kultura, për të promovuar vlerat olimpike dhe sportive.

Pas Domanikut fjalën morri edhe drejtori i Departamentit të Sportit në MKRS, Ibër Alaj, i cili tha se ky dokumentim i filmave është i një rëndësie të veçantë, pasi përmes tyre mund të shohim kontributin edhe angazhimin e njerëzve në periudha të ndryshme kohore.

Ndërkaq, këtë ceremoni hapëse e përmbylli një video-mesazh nga Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Kinematografisë Sportive, Franco Ascani, i cili tha se ky festival shfaq mundësinë e promovimit të vlerave kulturore të lëvizjes olimpike dhe kulturën përmes sportit.

Pas ceremonisë hapëse të këtij festivali, seria e filmave u hap me “Kryemjeshtrin”, të realizuar nga KOK-u për nder të trajnerit me tri medalje të arta olimpike, Driton Kuka.

Më pas u shfaq filmi “Pa vend” i autorit Samir Karahoda, që për tematikë kishte dy pingpongistë, të cilët enden nga një vend i panjohur në tjetrin me pronën e vetme të klubit, tavolinën.

Dy storjet për sportistët paralimpistë, “Vrapuesi që humbi një dorë, synon Lojërat Paralimpike Paris 2024”, me autor Amir Rama dhe “Storja inspiruese për futbollistin Enis Xhemajli”, të autorit Dilaver Polisi u shfaqën më tej.

Për fund u shfaq edhe premiera e filmit “Mija”, nga autorja Vjosa Maqedonci - Osmani, që iu kushtua legjendës së basketbollit, Resmije Juniku dhe klubit të basketbollit Universiteti. /A.Arifi/

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024