Trajneri i xhudos, Driton Kuka, ka ngritur shqetësime për gjendjen e sportit kosovar, duke theksuar nevojën për ndërtimin e një gjenerate të re sportistësh elitarë dhe përqendrimin e institucioneve në rezultate konkrete sportive.
Duke folur për punën që po bëhet në xhudo, Kuka tha se fokusi kryesor tashmë është te gjenerata e re, e cila sipas tij pritet të jetë e gatshme për ciklet olimpike 2028-2032. Ai bëri të ditur se sportistët e rinj po kalojnë nëpër kampe stërvitore në Austri, Slloveni dhe Kroaci, ndërsa shtoi se po punohet më shumë se kurrë për krijimin e garuesve të rinj elitarë. “Prioritet i yni tashmë kjo gjeneratë që realisht do jetë e gatshme në ciklin Olimpik 2028-2032”, ka shkruar Kuka.
Në një pjesë tjetër të reagimit, Kuka kritikoi institucionet sportive për mungesën e fokusit te rezultatet dhe kërkoi më shumë përgjegjësi nga drejtuesit e sportit. Sipas tij, në qendër të vlerësimit duhet të jenë medaljet dhe normat olimpike, e jo aktivitetet formale.