Kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, inspektoi punimet në rrugën e fshatit Babimoc, duke paralajmëruar se operatorit ekonomik nuk do t’i lejohet të vazhdojë punimet nëse projekti nuk përfundon deri të hënën. Thaçi tha se projekti, i cili ka nisur më 23 maj 2024, është zvarritur përtej afateve, ndonëse pjesa më e madhe e pagesës është realizuar.
“Ne jemi këtu në fshatin Babimoc, ku kemi një projekt që nga viti 2024, e që janë zgjatur tej mase punimet. Na u premtua se të enjten dhe të premten do të përfundojë rruga. Të hënën do të dalim sërish në inspektim dhe ajo është dita e fundit kur do të lejohet ky operator të punojë. Vlera e investimit ka qenë 216 mijë euro, janë paguar 177 mijë euro, ndërsa 39 mijë euro ende nuk janë paguar. U bëj thirrje jo vetëm këtij operatori, por të gjithë operatorëve që punojnë në Komunën e Obiliqit, që të mos i zvarrisin punimet”, tha ai.
“Rruga ka qenë e planifikuar të përfundonte në vitin 2025, ndërsa tani jemi në vitin 2026. Operatorët gjejnë arsye të ndryshme për ngecje, duke u thirrur në rritjen e çmimeve të produkteve që përdorin, por pavarësisht kësaj ata kanë kontratë me Komunën e Obiliqit dhe punët nuk duhet të zgjaten”, tha Thaçi.
Thaçi njoftoi gjithashtu se ka nisur funksionimi i transportit publik të subvencionuar nga Komuna, ndërsa, nga 1 qershori ka filluar mbledhja e mbeturinave nga ndërmarrja lokale “Kastrioti”.