Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut, Darko Kostadinovski e ka nxitur edhe një valë reagimesh nga partitë shqiptare. Kjo, derisa të mërkurën, në seancën ku u diskutua për kushtetutshmërinë e sistemit “Safe City” tha se SMS porositë duhet të dërgohen tek qytetarët në maqedonisht e anglisht, por jo edhe në gjuhën shqipe. Për më tepër, tha se kushtetuta e obligon çdo qytetarë që ta njoh gjuhën maqedonase.
"Nuk guxojmë të harrojmë se gjuha maqedone është gjuhë zyrtare në këtë shtet. Sipas ligjeve tona, njohja e gjuhës maqedone është edhe e drejtë edhe obligim për secilin qytetar. Pra, jorastësisht është përcaktuar edhe si obligim", ka thënë Kostadinovski.
“Nga muaji shkurt, këtu për sigurinë e komunikacioneve vetëm në disa qytete, e çuditërisht në qytetet ku shumicë janë shqiptarët, pra në Tetovë, Shkup edhe Kumanovë, përgjatë korridorit tetë dhe në këto qytete, aplikohet ‘Safe City’ dhe SMS porosi të cilët ju vijnë qytetarëve, nuk ju vijnë edhe në shqip. Pra, vijnë në gjuhën maqedonase dhe vijnë në gjuhën angleze. Prandaj edhe dje Gjykata Kushtetuese vendosi se ligji që parasheh realizimin e një projekti të këtillë, është në harmoni me kushtetutën, ndërsa deklaratat e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese ishin krejtësisht skandaloze. Ju vetë e patë, ai tha mundet maqedonisht, mundet edhe anglisht, por jo edhe në shqip. Madje, madje tallej me inteligjencën kolektive të të gjithë qytetarëve të vendit duke thënë se ata që kanë veturë, duhet të kenë edhe smart telefonë dhe email, në të kundërtën, le të voziten me kuaj”, deklaron ai.
Marrëveshja e Ohrit është kontratë e nënshkruar një çerekshekull më parë. Ky dokument i dha fund konfliktit të armatosur në Maqedoninë e atëhershme i cili u nxit si pasojë e diskriminimit të shqiptarëve atje. Dokumenti solli ndryshime në Kushtetutë dhe rregulloi përdorimin e gjuhëve të tjera, krahas asaj maqedonase.
Partitë shqiptare që përbëjnë koalicionin qeveritar VLEN, e që po akuzohen nga BDI për cenim të Marrëveshjes së Ohrit, kanë 12 ulëse në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, ndërkaq në ekzekutiv drejtojnë gjashtë ministri dhe kanë dy zëvendëskryeministra.
Ligji për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni të Veriut i detyron institucionet shtetërore të lejojnë përdorimin zyrtar të gjuhëve që fliten nga të paktën 20 për qind e qytetarëve.
“Nuk mund të shmangemi përshtypjes se kjo përbërje e Gjykatës Kushtetuese shumë shpesh përmes komenteve ëh, ngjan më shumë në elitë politike jugosllave sesa ndonjë instancë më e lartë gjyqësore në vend. Sa i përket përdorimit të gjuhës shqipe, është e drejtë themelore e njeriut dhe një nga vlerat themelore të kushtetutës. Institucionet shtetërore e kanë detyrim të garantojnë të drejtën e çdo qytetari që të informohet në gjuhën e tij amtare, përfshirë edhe për detyrimet që lindin si pasojë e veprimeve apo sjelljes së tij. Domethënë kjo vlen edhe për sistemin Safe City. VLEN ka qenë i qartë dhe mbetet i palëkundur në qëndrimin se kur shteti njofton, paralajmëron apo ndëshkon qytetarin përmes këtij sistemi, ai ka për detyrë ta bëjë këtë edhe në gjuhën shqipe. Domethënë kjo nuk është çështje e vullnetit politik, por detyrim kushtetues dhe respektim i një të drejte themelore”, përfundon ai.
Të mërkurën Gjykata Kushtetuese mbajti seancë për ta shqyrtuar kushtetutshmërinë e ligjit për projektin “Safe City”. Ajo i hodhi poshtë iniciativat e Aleancës për Shqiptarët të Zijadin Selës dhe Arben Taravarit por edhe Ylli Paçukut nga Bashkimi Demokratik për Integrim. Të njëjtit kontestonin “Safe City-n” për disa çështje. Me theks të veçantë, për përfshirjen e vetëm tre qyteteve por edhe detyrimin që qytetarët të posedojnë telefona celularë dhe email. /Sh.Pajaziti