“Para se me qenë gazetar, je qenie njerëzore”, kështu shprehet kryesuesi i gazetës “The Washington Times”, Tom McDevitt. Sipas tij, gazetarët shpesh nuk janë në gjendje të thonë të vërtetën, për çka konsideron se liria e shtypit është thelbësore. Ai kërkon mbështetje të medias dhe mbrojtje të profesionit të gazetarit. Në intervistën për KosovaPress, McDevitt flet edhe për raportimin në situata konflikti dhe rëndësinë e etikës në gazetari.
Kryesuesi i gazetës prestigjioze amerikane “The Washington Times”, është pyetur për Ballkanin e Hapur dhe pozicionin e Kosovës në këtë proces. Tom McDevitt është skeptik në lidhje me këtë, por ka lëvdata për udhëheqjen e kryeministrit Albin Kurti.
Profesionisti amerikan, i cili ka përvojë të gjatë në gazetari, ka fjalë të mira edhe për gazetarët nga Kosova. McDevitt është i interesuar për bashkëpunim me mediat në vend.
“Gazetarët që njoh, miqtë e mi të mirë nga kjo pjesë, drejtues agjencish lajmesh dhe gazetarë të tjerë, janë profesionistë. Ata e kuptojnë etikën në gazetari, rëndësinë e saktësisë dhe drejtësisë, dhe veçanërisht natyrën e karakterit. Para se me qenë gazetar, je qenie njerëzore....Pra, jam shumë i interesuar të kthehem dhe të punoj me Uashingtonin dhe SHBA-në, dhe Ëashington Times. Por gjithashtu, ne kemi Shoqatën Ndërkombëtare të Medias për Paqe - IMAP dhe kjo është një organ i ri që u formua nga UPF. Pra, ne jemi të emocionuar të shohim se si IMAP mund të zhvillohet në Ballkan dhe unë dua të kthehem përsëri”, shton ai në intervistën për KosovaPress.
“Unë e dua shumë këtë rajon, kulturën, njerëzit, ushqimin dhe muzikën, dhe mendoj se është mirë që amerikanët të zgjohen dhe të shohin se çfarë vendi i mrekullueshëm është Ballkani, e veçanërisht Kosova”, shton kryetari i Ëashington Post.
Roli i gazetarisë në një situatë konflikti, siç thotë ai, është qenësore, derisa shton se profesioni i gazetarit duhet të mbrohet.
Kryetari i “The Washington Times”, Tom Mc.Devitt ditë më parë ishte pjesë e konferencës së Lidershipit të Ballkanit me temë “Paqja, Siguria dhe Zhvillimi në Ballkanin Perëndimor”, ku shprehet se unike ishte pjesëmarrja e Kosovës.
“Fokusi i kësaj konference ishte paqja dhe zhvillimi në sigurinë në Ballkan. Dhe mendoj se kemi pasur edhe panele për median dhe veçanërisht kemi pasur disa gazetarë të mrekullueshëm, të talentuar dhe me përvojë dhe drejtues të të gjitha shoqatave të lajmeve dhe agjencive të lajmeve në rajon. Pra, ishte kënaqësi, por edhe shumë domethënëse. Kemi dëgjuar për besueshmërinë në media, një pikë shumë e rëndësishme dhe kemi dëgjuar gjithashtu se si të mbulojmë rajonet e konfliktit, veçanërisht si në rastin me Ukrainën dhe Rusinë. Pra, mendoj se ky ishte një hap i parë shumë i rëndësishëm dhe shpresoj se do të vazhdojmë”, thotë ai për KosovaPress.