Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu ka thënë se pikërisht në përvjetorin e 25-të të Masakrës së Reçakut, përpos vendimit për inicimin e procedurave të shpronësimit për rritjes e hapësirës përkujtimore të Memorialit të Reçakut, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për caktimin e grupit punues. Sipas njoftimit, në këtë grup bën pjesë edhe kryetari Aliu, me detyrë hartimin e Projektit për Kompleksin Memorial "Masakra e Reçakut".
“Është e domosdoshme që vendi i mikpritjes e vizitave jo vetëm të përvitshme më 15 janar, por edhe të çdoditshme nga anekënd Kosovës dhe jashtë saj, të jetë hapësirë e dinjitetshme që paraqet me saktësi e ndjeshmëri krimin e gjenocidit dhe krimet kundër njerëzimit që janë kryer në Reçak nga aparati shtetëror sulmues i Serbisë”, shkruan ai në Facebook.