Kryeministri Kurti takoi drejtuesit e PayPal
Lexohet për: 2 min.
FTcfNHrWQAAr_qb
2 vite më parë
Linku u kopjua

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në margjina të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, takoi drejtues të PayPal, një nga kompanitë më të mëdha në botë që mundëson pagesa ndërkombëtare.

Indikatorët pozitivë ekonomikë, rritja ekonomike impresive dyshifrore, si dhe potenciali që ka Kosova në fushën e teknologjisë së informacionit, u theksuan nga kryeministri Kurti në takimin me Richard Nash, zëvendëspresident i PayPal dhe drejtues i Grupit për Marrëdhënie Globale me qeveri, dhe me Franz Paasche, zëvendëspresident i lartë i PayPal dhe drejtor i çështjeve korporative.

Kryeministri theksoi shkallën e lartë të përdorimit të internetit në Kosovë, rritjen e nivelit të shfrytëzimit të tregtisë elektronike e-commerce dhe blerjeve online, si dhe dërgimin e remitencave nga mërgata, si faktorë të rëndësishëm e të dobishëm që PayPal të përfshijë edhe Kosovën në platformë.

Sipas një komunikate të Qeverisë, duke potencuar interesat e përbashkëta, projektet dhe planet drejt bërjes së Kosovës si qendër e ardhshme e teknologjisë së informacionit në Evropën Juglindore, kryeministri ftoi drejtuesit e PayPal që të bëhen pjesë e këtij rrugëtimi.

Në kuadër të vizitës zyrtare në Zvicër, kryeministri Kurti do të takohet edhe me përfaqësues të tjerë të ndërmarrjeve e liderë politikë, si dhe do të zhvillojë takime me mërgatën tonë atje. Po ashtu do të merr pjesë në panelin “Dialogu i Diplomacisë për Ballkanin Perëndimor” në Forumin Ekonomik Botëror.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024