Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Financave, Hekuran Murati, kanë prezantuar sot buxhetin për vitin 2023 para qytetarëve të Mitrovicës.
Shefi i ekzekutivit potencoi se buxheti për vitin e ardhshëm do të jetë më i larti ndonjëherë në Kosovë, përkatësisht 3 miliardë e 212 milionë euro, teksa bëri të ditur se ky buxhet i paraparë për këtë Komunë është mbi 25 milionë euro.
"Buxheti për vitin 2023 do të jetë buxheti më i lartë në historinë e vendit tonë. Do të jetë 3 miliardë e 212 milionë euro, prej tyre të hyra buxhetore do të jenë 2 miliardë e 884 milionë euro. Në kuadër të buxhetit parashihet shtimi i vlerave për investime kapitale dhe mallra e shërbime që arrijnë vlerën prej 1.3 miliardë euro. Kjo do të kontribuojë substancialisht në fitimin e aktivitetit biznesor dhe në zhvillimin ekonomik... Buxheti i planifikuar për komunën e Mitrovicës për vitin 2023. është mbi 25 milionë euro... Pra, jo vetëm që jemi vendi më demokratik, por në të njëjtën kohë edhe në sundimin e ligjit jemi të parët në Ballkan... Kemi filluar për herë të parë me një shtet social që garanton arsimin e lartë pa pagesë, shtesa për fëmijë dhe mbështetje financiare për nëna të reja, e pensione të dinjitetshme sidomos për persona me aftësi të kufizuar... Ky buxhet për vitin e ardhshëm parasheh edhe trajtimin e rrugëve të rëndësishme të Shalës së Bajgorës... Kemi alokuar një milion euro për programin e rindërtimit të shtëpive në pjesën veriore të qytetit... Shpenzimet për shëndetësi parashihen të rriten afër 300 milionë euro, rritje prej 15 për qind në krahasim prej vitit të kaluar, apo rreth 50 për qind më shumë sesa vitin para pandemik 2019", ka thënë Kurti.
Ndërkaq, ministri i Financave Hekuran Murati, duke folur për projektet infrastrukturore, tha se për rrugën Prishtinë-Mitrovicë e cila është vonuar për shkak të shpronësimeve, në kuadër të buxhetit të vitit të ardhshëm janë paraparë 21 milionë euro shtesë, e që në total kap shumën prej 32 milionë eurove.
"Pra, me heqjen e këtyre problemeve të shpronësimit tashmë dinamika mund të përshpejtohet e kryerjes së këtij projekti më në fund, dhe për vitin e ardhshëm janë paraparë 21 milionë euro që do të thotë në tërësi janë 32 milionë euro që po besoj nëse dinamika është më e përshpejtuar gjatë vitit të ardhshëm të ekzekutimit të punëve, mund të bëhet shpronësimi edhe më herët. Projekt tjetër infrastrukturor është edhe hekurudha, e cila ka ekzistu mirëpo është një projekt për rehabilitim të hekurudhës, madje sot e miratuam një pjesë të financimit shtesë për këtë projekt, është linja 10 hekurudhore, pra përshkon Kosovën në mënyrë vertikale prej Hanit të Elezit deri në Leshak", theksoi ministri Murati.
Qytetarët e pranishëm kanë parashtruar pyetje të shumta që kanë të bëjnë me infrastrukturën rrugore në fshatrat e Shalës së Bajgorës, pastaj punësimin, pensionet e minatorëve të Trepcës, shtrirjen e rrjetit të rrymës nëpër zona të thella rurale, çështjen e deponive, rindërtimin e shtëpive të shqiptarëve në veri dhe të ngjashme.
"Siç e dini shpërndarja e energjisë elektrike është privatizuar në vitin 2013 dhe tash është një kompani private që i bënë këto investime, sepse po të ishte pjesë e shtetit do të ishte më i lehtë intervenimi apo shtrirja e rrjetit të tillë, megjithatë është një çështje që mund ta ngrisim me ministren e Ekonomisë, por edhe me zyrën e rregullatorit sepse edhe pse është kompani private ka obligime ligjore që infrastruktura të shtrihet aty ku ka vendbanime.. Për çështjen e mbeturinave kisha pas qejf që të ishte edhe ministri Libirn Aliu sepse ai e ka goxha mirë të detajuar konceptin", u shpreh Murati.
Në anën tjetër, kryeministri i vendit Albin Kurti, në fund të fjalimit të tij u shpreh se qeveria e Kosovës është e interesuar që ta ndërtojë dhe zhvillojë qytetin e Mitrovicës. Sipas tij, qeveria ka ndarë një milion euro për rindërtimin e shtëpive të shqiptarëve në veri, të cilët aktualisht paguajnë qera në jug të këtij qyteti dhe në vende tjera.