Kosova ka humbur mbi 40 milionë euro nga Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Kryenegociatori i Kosovës me Unionin Evropian dhe koordinatori Kombëtar për Instrumentin për Reforma dhe Rritje, Jeton Zulfaj, tha se për shkak të krizës politike nuk kanë arritur t’i miratojnë pesë ligje në Kuvendin e Kosovës. Sipas tij, për shkak se qeveria është në detyrë, nuk ka arritur të miratojë strategjinë për luftimin e krimit të organizuar, raporton KosovaPress.
“Do t’i përmend hapat që nuk kanë arritur të zbatohen deri dje në kohë. Këto janë Ligji për Energji dhe Energji Elektrike, sistemi i kontrollit të ndihmës shtetërore, Ligji për Inovacion, legjislacioni kornizë dhe aktet ligjore për falimentimin dhe paaftësinë paguese. Pakoja e ligjeve të reformës në drejtësi, që janë gjithsej gjashtë ligje: Ligji për KPK-në, KGJK-në, Akademinë e Drejtësisë, përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, rekrutimin, vlerësimin e performancës dhe administrimin e sistemit gjyqësor dhe prokurorial. Po ashtu edhe Strategjia për Luftimin e Krimit të Organizuar. Këta gjashtë hapa që nuk janë zbatuar, pesë prej tyre kanë të bëjnë me aprovimin e ligjeve në Kuvend. Hapi i mbetur, që është strategjia për luftimin e krimit të organizuar, është veprim i cili duhet të miratohet në Qeveri, por për arsye procedurale nuk mund të bëhet nga qeveria në detyrë. Me fjalë të tjera, pothuajse të gjithë hapat që nuk kanë arritur të zbatohen në afatin shtesë janë si pasojë e mosfunksionimit dhe bllokadës në Kuvend. Kostoja e përllogaritur e mosrealizimit me kohë të këtyre gjashtë hapave llogaritet të jetë mbi 40 milionë euro”, tha ai.
Sipas tij, është tejet e rëndësishme që të formohen institucionet e reja dhe të mos ketë bllokada në Kuvend, pasi vendi po humbet financiarisht.
Ai përmendi edhe pritjet e tij nga presidenca e Irlandës, ku tha se shpreson që të shqyrtohet aplikacioni i Kosovës për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Unionin Evropian.
Lajmi në sistemin me parapagim...