Kriza me Presidentin, Gjermania: Kosovës i duhen institucione funksionale
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Kriza me Presidentin, Gjermania: Kosovës i duhen institucione funksionale
berlini1234
06/03/2026 - 20:45
Linku u kopjua

Gjermania ka reaguar ndaj krizës së re institucionale në Kosovë. Në Konferencën Federale të Shtypit në Berlin, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane, Martin Giese, theksoi rëndësinë e institucioneve funksionale në vend. “Kosovës i duhen institucione funksionale”, tha ai.

Sipas qeverisë gjermane, kjo është e rëndësishme edhe për vazhdimin e dialogut të normalizimit të udhëhequr nga Bashkimi Evropian mes Kosovës dhe Serbisë. “Integrimi i Serbisë dhe Kosovës në BE mund të arrihet vetëm përmes këtij dialogu të normalizimit”, u shpreh Giese, raporton DW.

Reagimi vjen pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shpërndau Kuvendin e Kosovës. Më parë, Parlamenti i Kosovës dështoi ta zgjedhte presidentin e vendit. Situata institucionale tani pritet të sqarohet përmes vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Nëse Gjykata Kushtetuese konfirmon vendimin e presidentes, Kosova mund të përballet me zgjedhjet e treta parlamentare brenda pak më shumë se një viti.

Gjermania ka interes politik për një Kosovë të qëndrueshme, sepse siguria në Ballkanin Perëndimor konsiderohet strategjikisht e rëndësishme për Evropën. Që nga viti 1999, Gjermania merr pjesë në misionin e NATO-s Kosovo Force (KFOR) dhe aktualisht mund të dislokojë deri në 400 ushtarë të Bundeswehr-it në vend në rast nevoje.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026