Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Shqipërisë, Frida Krifca përcolli nga Brukseli, ku ishte për vizitë zyrtare, imazhet e një biznesi shqiptar, sa inovativ aq dhe me lidhje të forta të kulturës e traditës shqiptare në Grand Place.
“Pikërisht në zemër të Brukselit, pesë hapa nga bashkia, prej disa muajsh qëndron një shtëpi kulture shqiptare e hapur nga Ledia Canaj, një vajzë e fortë dhe e mençur e cila ëndrrën e saj diti me maturi dhe punë ta bëjë realitet duke përballur çdo sfidë, me kurajo.@maisonculturellebeal ishte befasues për përzgjedhjen e konceptit, për karakterin e ngrohtësinë”, shkroi Krifca në rrjetet sociale duke sjellë edhe fotografi.
“Ata që takohen aty duke shijuar prodhimet rreptësisht shqiptare – duke pirë një gotë verë apo duke ngrënë një gliko arre, flasin për prodhimet, origjinën, karakteristikat, simbolet që në këtë hapësirë janë të shumta, duke shfletuar literaturë të autorëve tanë apo duke parë artin e artistëve tanë, flasin për Shqipërinë me mallin e diasporës, me gëzimin e gjetjes së përkatësisë, me zjarrin për t’i treguar botës kush jemi e sa shumë mundemi t’i ofrojmë Evropës, botës”, tha ministrja, teksa i shprehu përgëzime dhe falënderime Ledias, për vizionin e saj dhe shembullin e qytetarisë./atsh