Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka miratuar tri marrëveshje ndërkombëtare. Dy prej tyre kanë të bëjnë me marrjen e një kredie për projektin e zhvillimit të impiantit të ujërave të zeza në rajonin e Mitrovicës në vlerë rreth 38 milionë euro, ndërsa e treta, kredia 47 milionë euro për reformimin e skemave sociale, marrëveshje kjo e cila u rrëzua muaj më parë në Kuvend. Megjithatë, Lidhja Demokratike e Kosovës sërish e kundërshtoi të njëjtën, ndërsa deputetët e partisë opozitare të PDK-së u përmbajtën nga votimi në komision.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se për shkak të rëndësisë së reformave në skemën sociale, kredia 47 milionëshe është rikthyer sërish për miratim.
Mirëpo, sërish kritik ndaj kësaj kredie u shpreh, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.
“Kurrë asnjë herë në historinë 22 vjeçare të shtetit të Kosovës nuk ka ardhur ndonjë marrëveshje me kërku kredi për ndihma sociale. Çfarë qeverie pretendojmë, çfarë shteti mendojmë me qenë nëse ne nuk mundemi t’i paguajmë ndihmat sociale. Çfarë ministri i Financave je kur lëvdohesh publikisht për pozicion të mirë fiskal për shkak të rritjes së të hyrave dhe kërkon 15 milionë kredi me përmirësuar bilancin bankar”, theksoi ai.
“Jemi dëshmitar se kredia ridestinohet pa kaluar prapë në Kuvend në mes dy ministrave. Mjetet e destinuara për projektet zhvillimore, siç janë Agjencioni KIESA dhe Agjencioni i Metrologjisë dalin se kanë shkuar në institucione krejt tjera. Një pjesë e tyre po thuhet se kanë shkuar tek ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ndërsa një pjesë e tyre tek kompanitë konsulte, mbi 200-300 mijë euro dhe një pjesë prapë e kredisë së butë shkojnë në Dubai ku paguhen asambletë kulturo-artistike, toner dhe paguhet një piano katër mijë euro ora. Cili është mekanizmi i sigurisë institucionale që kreditë e buta që ratifikohen në Kuvend të mos ridenstinohen”, tha ai.
Sqarime për çdo dyshim të tillë kërkoi edhe kryetari i Komisionit, Armend Muja, mirëpo tha se kjo duhet të bëhet në një mbledhje tjetër.
Krahas këtyre, Komisioni miratoi edhe plotësim-ndryshimet në Projektligjin për themelimin e fondit për garanci kreditore.