Krasniqi: Tri vjet i mjaftuan Kurtit në pushtet që premtimet t’i kthejë në mashtrim
Lexohet për: 2 min.
9 muaj më parë
Linku u kopjua

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për këto tri vjet qeverisje.

“Tri vite i mjaftuan Albin Kurtit në pushtet që premtimet t’i kthejë në mashtrim dhe shpresat në zhgënjim.  Tri vite të mbushura me keqqeverisje, paaftësi dhe afera korruptive, përmes së cilave është përkeqësuar jeta e qytetarëve tanë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Kryetari I PDK-së thekson se kjo qeveri ka rrezikuar vazhdimisht të ardhmen euro-atlantike të Kosovës.

“Tri vite përplot me veprime të papërgjegjshme, përmes së cilave është rrezikuar vazhdimisht e ardhmja euro-atlantike e shtetit tonë. Tri vite kundër secilit aleat të Kosovës, posaçërisht SHBA-së, tashmë edhe si politikë zyrtare qeveritare”, shkruan ai.

Sipas liderit opozitar, me këtë qeveri Kosova ka pasur regres në të gjitha fushat.

“Krejt çka kjo Qeveri i ka sjellë Kosovës për këtë periudhë është: stagnim në ekonomi, kolaps në shëndetësi, degradim në arsim, hajni me energji dhe rezerva shtetërore, dështim në infrastrukturë, skandale në politikë të jashtme, izolim ndërkombëtar dhe sanksione për Kosovën”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Ai përmend edhe shtatoren e Kurtit në Podujevë.

“Për ta, e rëndësishme është që kulti i liderit të jetojë, qoftë edhe përmes një statuje qesharake prej bronzi - mbi varfërinë e qytetarëve dhe të ardhmen e cenuar të shtetit tonë. Përbuzja - është e vetmja trashëgimi politike të cilën ky pushtet po e lë mbrapa, tashmë, në kilometrat e fundit të tij”, ka shkruar ai.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024