Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, thotë se Qeveria Kurti është më e dobëta dhe paafta në Kosovë. Sipas tij, nën qeverisjen e Albin Kurtit ka degraduar arsimi, shëndetësia dhe ka stagnuar zhvillimi ekonomik.
Lideri opozitar në një intervistë për KosovaPress kritikon Kurtin që nuk ka hartuar një draft-statut të asociacionit, derisa i kërkon të merr një vendim për draftin e propozuar nga euro-amerikanët, të cilin e quan jashtëzakonisht të dëmshëm për Kosovën.
Kryetari i PDK-së, thekson se Kurtit i është minimizuar hapësira për taktika sa i përket asociacionit, andaj në muajt e parë të vitit 2024 duhet të merr vendim ta pranojë ose të refuzojë draftin e propozuar nga euro-amerikanët.
Ai konsideron se drafti i asociacionit krijon një nivel të ri të pushtetit në Kosovë, pasi ka kompetenca të qarta ekzekutive.
Sipas tij, asociacioni dhe dialogu është barrë e rëndë për kryeministrin Kurti, andaj zgjedhjet e parakohshme janë në horizont gjatë vitit 2024.
Në anën tjetër, ai deklaron se gjithmonë ekziston potenciali për cenim të sigurisë në veri, por paralajmërimet për luftë frontale për një konflikt të gjatë dhe të armatosur janë vetëm një fryrje e zjarrit nga Kurti për të shmangur vëmendjen reale nga problemet e brendshme të Kosovës. /E.Zeqiri