Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka reaguar ndaj një shkrimi të publikuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve, rreth një analize të përgjithshme të Akademisë.
Ai ka hedhur kritika edhe ndaj krytarit të ASHAK-ut, Mehmet Krajës dhe anëtarëve tjerë, për të cilët tha se nuk do të duhej të fshiheshin prapa emrit të Akademisë, por të dalin publikisht me emrat e tyre.
“Partia Demokratike e Kosovës shpreh indinjatë të thellë për tekstin e publikuar së fundmi në emër të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, thuhet në reagimin që ka shpërndarë kryetari i PDK-së Memli Krasniqi.
Reagimi i plotë:
Ky tekst amator, me tiparet e një pamfleti elektoral partiak, i tejmbushur me gabime drejtshkrimore dhe përmbajtësore, me një gjuhë aspak akademike, tërësisht i padenjë për institucionin nga ka dalë, përbën një turp të paprecedentë që kërkon menjëherë reagime distancuese nga vet anëtarët e ASHAK-ut dhe mbarë komuniteti shkencor i vendit.
Me një lehtësi të paimagjinueshme, autori fantom i këtij teksti të rrëmujshëm, kapërcen nga njëra qasje në tjetrën, duke folur për histori, marrëdhënie ndërkombëtare, jurisprudencë, ekonomi e etnografi, duke pretenduar me vetëbesim të papërmbajtshëm të japë përgjigje e rekomandime për të gjitha problemet me të cilat ballafaqohet sot Kosova, Shqipëria, Ballkani, Evropa dhe mbarë gjeopolitika globale.
Ndërkohë që udhëheqësit e UÇK-së janë duke mbrojtur të vërtetën historike të luftës së drejtë të popullit shqiptar të Kosovës për liri e pavarësi, komentet e këtij teksti faktikisht përmbushin interesat e aspiratat hegjemoniste serbe kundrejt shqiptarëve.
Me këtë sulm të ulët nga teksti i dalë prej këtij institucioni, të paguar nga taksapaguesit e Kosovës, konfirmohen e noterizohen tezat serbe, duke sulmuar drejtpërdrejtë lidershipin e UÇK-së, si dhe duke ushqyer albanofobinë kundrejt kosovocentrizmit ekstremist, por edhe retorikën neo-kolonialiste kundër aleatëve perëndimorë.
Qëndrimet e këtij teksti, gjithashtu, çuditërisht, përputhen me interesat dhe përpjekjet zyrtare shumëvjeçare të Beogradit që përpiqet të përçajë shqiptarët dhe të ndërtojë dallime esenciale mes shqiptarëve të Republikës së Kosovës dhe atyre të Republiës së Shqipërisë.
Madje, teksti rrëshqet në nivele të ulëta të racizmit kulturor, duke e konsideruar popullin e Shqipërisë si shoqëri recidiviste pa ideologji e me tendenca klanore, “e dominuar nga refuzimi ndaj Kosovës” dhe “lidhja e ngushtë botëkuptimore me sllavizmin dhe me proveniencën lindore”.
Gjithashtu, duhet vënë në dukje faktin se teksti sulmon të gjithë aktorët dhe faktorët e rëndësishëm e mbështetës të Kosovës, duke filluar me akuza ndaj SHBA-ve, BE-së dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë, se kinse janë bashkëfajtorë për politikat hegjemoniste aktuale serbe, për të vijuar me akuza ndaj elitës politike të shqiptarëve të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Glorifikimi që i bëhet Lëvizjes Vetëvendosje se kinse jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri, kjo parti politike përbën kërcënim për përmbysje të establishmentit të atjeshëm, me këto pretendime të pabaza do të skuqte nga turpi edhe militantët më të devotshëm të Albin Kurtit.
Nëse autori ose autorët e këtij teksti nuk turpërohen nga broçkullat që kanë shkruar, nuk duhet të mbesin fantomë e të fshihen prapa emrit të ASHAK, por të nënshruajnë me emër e mbiemër këtë pamflet politik. Sepse, teksti në mënyrë absurde nuk specifikon autorë të përveçëm, por është nxjerrë, përveç në ëeb faqen e ASHAK, edhe në faqen e Facebook-ut të kryetarit të ASHAK-ut, Mehmet Kraja.
Prandaj, kërkojmë reagimin e menjëhershëm të anëtarëve të ASHAK-ut, distancimin nga teksti, heqjen e tij nga botimet zyrtare të këtij institucioni dhe kërkim falje formale për publikimin e një materiali kaq ofendues e të dëmshëm.