Krasniqi: Pa UÇK s’do kishte Kosovë të lirë, pa Adem Jasharin vështirë se do kishte ushtri
Lexohet për: 5 min.
mm
1 vit më parë
Linku u kopjua

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, sot, në seancën solemne të shënimit të 25 vjetorit së Epopesë së UÇK-së tha se pa Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës nuk do të kishte pasur kurrë një Kosovë të lirë e të pavarur, ndërsa pa Adem Jasharin dhe marsin e lavdishëm të 98-ës, vështirë se do të kishte pasur një Ushtri Çlirimtare.

Krasniqi tha se sakrifica e familjes Jashari dhe marsi i lavdishëm i 98-ës, kanë vënë themelet e Kosovës së lirë e të pavarur.

Kreu i PDK-së u shpreh se në këto ditë të sotme të lavdishme mungojnë bashkëudhëtarët e Adem Jasharit, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, që po privohen nga liria për të dëshmuar për të vërtetën e luftës së drejtë të UÇK-së.

“Pa Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës nuk do të kishte pasur kurrë një Kosovë të lirë e të pavarur. Pa Adem Jasharin dhe marsin e lavdishëm të 98-tës, vështirë se do të kishte pasur një Ushtri Çlirimtare. Prandaj, vlera e kësaj Epopeje, nuk mund të kuptohet si një ngjarje në kuadrin e historisë, por si një epokë që i bën bashkë të gjitha ngjarjet. UÇK-ja e ka mbrojtur pragun e shtëpisë, por nuk ka luftuar vetëm për pragun e shtëpisë. Ka luftuar për kauzën tonë kombëtare shekullore. Ka luftuar për drejtësinë historike. Dhe madhështia e UÇK-së nuk e merr kuptimin e plotë pa sakrificën e Komandantit Legjendar, Adem Jashari dhe të familjes Jashari, që frymëzoi dhjetëra mijëra djem e vajza për t’iu përgjigjur kushtrimit për çlirimin e vendit. Me këtë rast, në këtë ditë të lavdisë shembullore, na mungojnë bashkë-rrugëtuesit e Adem Jasharit, që nuk ju ndanë rrugës së tij deri në bërjen e Kosovës shtet të lirë e të pavarur, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarët e tyre, që të privuar nga liria, po mbahen larg nesh në betejën e fundit për të vërtetën e luftës së drejtë të UÇK-së”, theksoi kreu i PDK-së.

Krasniqi u shpreh se edhe 25 vjet pas Epopesë së UÇK-së Kosova ka ende shumë punë të papërfunduara.

Ai bëri thirrje të tejkalohen interesat e ngushtA, duke marrë përgjegjësitë që i takojnë.

“Një çerek shekulli pas Epopesë së UÇK-së, Kosova ka ende shumë punë të papërfunduara. 25 vite pas, duhet të ngritemi për të marrë përgjegjësitë që na takojnë, përtej interesave të ngushta. Adem Jashari nuk ka qenë njeri politik e as partiak. Ai nuk i takon askujt veçanërisht, por na takon të gjithëve bashkërisht, si shtet e si komb, të gjithë shqiptarëve kudo që janë. Si frymëzim e si yll polar për të bërë punë të mira për vendin e për popullin tonë. Dhe në këtë përkatësi të përbashkët që na lidhë me emrin e tij, shtrihet edhe përgjegjësia jonë që të punojmë për një Kosovë më të mirë e më të drejtë, me më shumë perspektivë për të rinjtë e të rejat e vendit tonë. Për një Kosovë të tillë, Prekazin e kemi udhërrëfim, për rrugën e cila nuk do të na shpie kurrë në qorrsokak”, nënvizoi Krasniqi.

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi në seancën solemne tha se Adem Jasharin para se ta nderojmë për luftën dhe sakrificën duhet ta nderojnë për jetën dhe frymëzimin.

“Adem Jasharin, para se ta nderojmë për luftën e sakrificën, duhet ta nderojmë për jetën dhe frymëzimin që i ka paraprirë asaj sakrifice. Para se ta marrim si nismëtarin e rrugës për çlirim, duhet ta marrim si vizionarin që vendosi themelet e vetëdijes që nxiti e nisi drejt asaj rruge. Para se ta marrim si heroin që i ka dhënë kuptim një date të një kohe të shkuar, duhet ta marrim si heroin që i ka dhënë kuptim çdo kohe pas asaj date. I tillë ishte ai dhe të tillë ishin të gjithë ata që ndoqën rrugën e sakrificës sublime për lirinë e Kosovës. Prandaj sot, me zemër të plotë, me vetëdije të lartë dhe me përgjegjësinë që kemi ndaj të ardhmes, nderojmë e përkulemi para veprës së tyre heroike, mbi të cilën qëndron themeli i Kosovës së lirë e të pavarur. Natyrisht, kjo Epope, krahas rrafshit të një kauze çlirimtare, nuk mund të ndahet edhe nga dimensioni i sakrificës së pashembullt njerëzore që familja Jashari ka manifestuar përmes saj”, përfundoi ai./B.Ibishi/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025