Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, thotë se është i domosdoshëm riformatimi i dialogut Kosovë-Serbi, pasi ky proces ndodhet në qorrsokak dhe se nuk mund të ecet tutje në këtë formë.
Ai në një intervistë për KosovaPress thotë se pas konstituimit të strukturave të reja në BE dhe siç thotë me fitoren e PDK-së në zgjedhjet e 9 shkurtit, dialogu do të merr dinamikë të re, derisa potencon se do ta ndryshojnë marrëveshjen bazë të Brukselit, aneksin e Ohrit dhe draftin evropian për asociacionin. Sipas tij me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, brenda një periudhe të shkurtër pas zgjedhjeve do të rikthejnë fokusin te njohja reciproke në dialog.
Ai akuzon Kurtin se i ka sjellë Kosovës një marrëveshje të keqe me Serbinë, e cila është e pamjaftueshme për vendin. Sipas tij, Kurti dhe Vuçiq nuk janë të interesuar për ta zbatuar ujdinë, por dëshirojnë ta përdorin në mënyrë taktike për interesa të brendshme të tyre.
Madje ai akuzon Kurtin se ka pranuar asociacionin, i cili sjell pushtet të tretë në Kosovë dhe autonomi për serbët në veri.
Madje, ai e quan absurditet refuzimin e kryeministrit Kurti sa i përket mundësisë që Kosova të jetë e barabartë në CEFTA, duke larguar UNIMIK-un nga përfaqësimi.