Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Ismet Krasniqi, ka bërë të ditur se logoja zyrtare e Lojërave Mesdhetare "Prishtina 2030" është në fazën përfundimtare të miratimit, pasi janë adresuar vërejtjet e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG).
Në emisionin SportCast, Krasniqi shpjegoi se çdo vendim i rëndësishëm që lidhet me organizimin e Lojërave duhet të marrë miratimin e ICMG-së, si pronare e këtij eventi.
Ai foli edhe për takimin e ardhshëm të ICMG-së që do të mbahet në Taranto gjatë zhvillimit të Lojërave Mesdhetare 2026, ku delegacioni i Kosovës do të raportojë për ecurinë e përgatitjeve për organizimin e edicionit të vitit 2030.
“Takim kemi tani në Taranto, do të jetë takimi i radhës dhe atje do të diskutojmë patjetër për Lojërat Mesdhetare. Edhe atje do të shpalosim edhe të arriturat deri në atë moment, deri në shtator kur do të jenë gusht - shtator faktikisht. Në 21 gusht fillojnë lojërat deri më 3 shtator. Në atë kohë jemi atje, do të marrim pjesë edhe në asamble edhe aty flitet normal edhe për të arriturat, ne e prezantojmë atë të cilat do të kryhen deri në atë moment. Tani e dini që ligji i ri për Lojërat Mesdhetare është aprovuar dhe është kryer në Qeverinë e Kosovës. Tani bordi është i ri, në krye me kryetarin e komitetit organizativ është kryeministri Albin Kurti. Jemi 13 anëtarë total në këtë bord dhe shpresoj shumë shpejt do të fillojë edhe mbledhja e parë e bordit dhe të fillojmë me punë. Nuk kemi çfarë presim më shumë, tash duhet vetëm të veprojmë”, vijoi tutje Krasniqi.“Unë normal që kam frikë si president i Komitetit Olimpik të Kosovës sepse e di mundin dhe sakrificën që e kemi bërë si komitet olimpik për t'i sjellë lojërat në Kosovë. Shumë shtete ndoshta e kanë ëndërr dhe shumë shtete ndoshta katër herë, pesë herë kanë aplikuar s'kanë mundur t’i marrin këto lojëra. Ne i kemi marrë me të parën dhe pa pasur det hiq. Kjo pak më brengos, se është mund i madh, djersë e madhe dhe angazhim shumë i madh për të marrë diçka shumë të vlefshme dhe për ta humbur për asgjë”, theksoi Krasniqi.
Sipas tij, me miratimin e ligjit të veçantë, krijimin e Bordit Organizativ dhe fillimin e punës së tij, Kosova ka hyrë në fazën vendimtare të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare "Prishtina 2030", që konsiderohen ngjarja më e madhe shumë-sportëshe që do të organizohet ndonjëherë në vend.