Kryetari PDK-së, Memli Krasniqi së bashku me kryetarin e Skenderajt, Fadil Nura kanë kujtuar dhe nderuar 147 martirët e një prej masakrave më të mëdha në Kosovë, asaj të Izbicës, të cilët, 24 vjet më parë u vranë mizorisht nga regjimi kriminal serb.
Deputeti Krasniqi tha me këtë rast fatkeqësisht, janë mbi 400 masakra të kryera mbi popullsinë civile shqiptare, për të cilat, fare pak urdhërdhënës dhe ekzekutues kanë dalë para drejtësisë.
“Sa herë që vjen marsi dhe rikthehet pranvera bashkë me to rikthehen edhe dhembja, edhe ditët e krenarisë tonë kombëtare, sepse ne shënojmë përvjetorët e disa prej masakrave më çnjerëzore që regjimi serb i Millosheviqit i bëri mbi popullatën civile shqiptare në vitin 1999. Këto masakra dhe këto sulme nuk ishin të rastësishme, sepse ishin pjesë të një fushate gjenocidale, një lufte që qëllim kishte shfarosjen e popullit shqiptar dhe dëbimin e tyre nga vendi ynë, nga Kosova. Një ndër këto masakra ndër shembujt me çnjerëzor të regjimit brutal të Millosheviqit ndodhi pikërisht këtu në Izbicë 24 vjet më parë ku 147 qytetarë të pafajshëm të Izbicës dhe të fshatrave për rreth në mënyrë çnjerëzore u vranë e u masakruan ashtu siç e pa e gjithë bota”, theksoi ai.
Kryetari i PDK-së, theksoi se lufta e UÇK-së ka qenë një luftë e drejt dhe shprehu bindjen e tij se së shpejti do të përfundojë vulosja e pafajësisë dhe drejtësisë për udhëheqësit e UÇK-së në Hagë.
Masakra e Izbicës hyn në radhën e krimeve më të rënda të shtetit të Serbisë, ku vrasja masive, përdhosja e trupave dhe varrimi i tyre, përmes pamjeve satelitore, u bë lajm botëror./KosovaPress/