Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, ka deklaruar se Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 përbëjnë një mundësi historike për vendin, duke theksuar ndikimin e madh ekonomik dhe zhvillimor që sjellin ngjarjet e mëdha sportive. Këto komente ai i bëri gjatë Konferencës së investitorëve amerikanë të mbajtur në Prishtinë.
Krasniqi theksoi rëndësinë që ka organizimi i ngjarjeve të tilla për zhvillimin e vendit dhe për forcimin e partneriteteve ndërkombëtare.
Ai foli edhe për përgatitjet që tashmë kanë nisur për këtë ngjarje madhore, duke vënë theksin te vizioni i gjerë zhvillimor që lidhet me të.
“Përgatitjet për Prishtina 2030 tashmë reflektojnë një vizion më të gjerë: objekte moderne sportive, infrastrukturë urbane të përmirësuar, kapacitete të zgjeruara turistike dhe një pozicionim më të fortë ndërkombëtar. Kjo është pikërisht aty ku sporti takohet me investimin dhe ku partneritetet strategjike bëhen thelbësore. Ne besojmë fuqishëm se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve publike, partnerëve ndërkombëtarë dhe sektorit privat është çelësi për arritjen e këtyre qëllimeve ambicioze. Prania e investitorëve, liderëve të biznesit dhe partnerëve ndërkombëtarë këtu sot dërgon një mesazh të fortë — se Prishtina është e hapur për bashkëpunim, e hapur për zhvillim dhe e hapur për të ardhmen”, deklaroi Krasniqi.Edicioni i vitit 2030 do të mbahet në Prishtinë, duke shënuar herën e parë që Kosova organizon një ngjarje të tillë të këtij niveli. Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 pritet të përfshijnë qindra sportistë nga dhjetëra vende pjesëmarrëse, në një gamë të gjerë disiplinash olimpike.