Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, sot ka kërkuar që barrikadat në pjesën veriore të Kosovës të hiqen menjëherë.
Ai ka potencuar se atje po krijohet një normalitet i ri, pikërisht si pasojë e mos reagimit nga ana e Qeverisë.
Ai ka shtuar se koha është për rikthim të normalitetit dhe garantim të sigurisë për të gjithë qytetarët e Kosovës.
“Duke qëndruar me Policinë e Kosovës, kërkojmë urgjentisht nga Qeveria plotësimin e kushteve të tyre, që ata të zbatojnë rendin dhe ligjin në pjesën veriore të Kosovës. Koha është për rikthim të normalitetit dhe garantim të sigurisë për të gjithë qytetarët e Kosovës në këtë pjesë të shtetit tonë. Për atë çfarë mund të bëhet sot, nesër mund të jetë shumë vonë. Kosova nuk e ka këtë komoditet. Sovraniteti i shtetit tonë po cënohet. E ardhmja jonë po rrezikohet. Kërkohet reagim i menjëhershëm. Hiqni ato barrikada të turpshme dhe dëshmojuni qytetarëve se jeni pranë tyre. Mos e braktisni Kosovën!”, ka shtuar Krasniqi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pret që misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, t’i largojë barrikadat në veri. Ndërkohë që, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se Policia e Kosovës i ka kapacitetet e duhura të veprojë në këtë drejtim.
Thirrje për largimin e barrikadave kanë bërë edhe ambasada e SHBA-së në Prishtinë dhe ajo në Beograd, duke thënë se arrestimi i Pantiqit po përdoret si justifikim për bllokime të paligjshme të rrugëve.
Si pasojë, një polic i Kosovës është lënduar, i cili ka marrë edhe trajtim mjekësor.