Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të vëzhgojë zgjedhjet lokale të 14 majit në Shqipëri. Një delegacion i KQZ-së së Kosovës, në përbërje të të cilit do të jenë anëtarët e këtij institucioni dhe një staf nga sekretariati, do të shohin nga afër implementimin e teknologjisë në procesin zgjedhor në Shqipëri, veçmas identifikimin dhe votimin elektronik në tri bashki.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, thotë për KosovaPress se ky vëzhgim është në kuadër të bashkëpunimit të mirë që kanë institucionet zgjedhore në të dy vendet.
Ai shton se gjatë këtij vëzhgimi, vëmendje më e madhe do t’i kushtohet votimit të pjesshëm elektronik në 401 vendvotime të bashkive Elbasan, Kamëz dhe Vorë, si dhe numërimin e votave që zhvillohet në Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor.
“Natyrisht se si çdo fazë e procesit zgjedhor ka rëndësi për KQZ-në, por meqenëse vëzhgimi është i kufizuar vetëm në disa ditë, atëherë vëmendje do t’i kushtohet aplikimit të teknologjisë në procesin zgjedhor. Në këtë rast, sa i përket votimit elektronik në tri bashki të ndryshme, si dhe identifikimit elektronik të votueseve.”, thekson ai.
Zgjedhjet lokale në Shqipëri do të mbahen nesër (e diel) më 14 maj. KQZ-ja ka vëzhguar zgjedhjet në Shqipëri edhe në të kaluarën./E.Zeqiri/