KQZ shtyn rekomandimet për qendrat e votimit në veri
Lexohet për: 4 min.
KQZ
1 vit më parë
Linku u kopjua

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mungesë të raporteve, ka shtyrë për mbledhjen e radhës rekomandimet e Këshillave Komunal Zgjedhor për qendrat e votimit në Mitrovicë të Veriut, Zubin Potok, Leposaviç dhe Zveçan.

Përveç kësaj pike, KQZ ka shtyrë për takimin e radhës edhe shqyrtimin dhe miratimin e numrit të fletëvotimeve që shtypen për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunat dhe zgjedhjet për kuvendet komunale në dy komuna, si dhe  rekomandimi për rritjen e numrit të votuesve për vendvotime për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, si dhe zgjedhjet e parakohshme për kuvendet e komunave në Zveçan dhe Leposaviq, të cilat do të mbahen më 23 prill 2023.

Kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj në mbledhjen e KQZ-së, tha se për shkak se Komisionet Komunale Zgjedhore ende nuk i kanë bërë vlerësimet e tyre dhe nuk ka raport, po kërkohet që këto tri pika të shtyhen për diskutim në mbledhjen e radhës.

“Arsyetimi është që këto pika që të shtyhen për mbledhjen e radhës me qëllim që pas vlerësimit të KKZ, në secilën komunë ta kemi raportin e plotë në mënyrë që të trajtohet nga KQZ, sepse nuk ka arritur të kryhet në kohë nga KKZ, të cilët janë duke punuar nga zyra në katër komunat…Për vlerësimin e qendrave të votimit që lidhet me vendvotimet dhe numrin e votuesve dhe këto tria janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën”, tha ai.

Këtë arsyetim e kërkoi Arianit Elshani nga PDK, i cili më pas kërkoi të njoftohen më shumë rreth organizimit zgjedhor që po ndodh në katër komunat veriore.

E anëtari i KQZ-së nga PDK, Ilir Gashi, tha se anëtarët e Këshillave Komunale Zgjedhore, që tashmë ushtrojë detyrën e tyre në komunat veriore, akoma nuk kanë asnjë qasje apo kontakt me komunat përkatëse për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Sipas tij, zyrtarët komunal zgjedhor nuk kanë kontaktuar asnjë drejtorë shkolle akoma dhe nuk posedojnë asnjë informatë se a do të lejohet hapja e shkollave apo jo.

Gashit iu kundërpërgjigj kryesuesi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Kreshnik Radoniqi duke thënë se ende nuk kanë ndonjë raport prej Komisioneve Komunale Zgjedhore dhe nuk kanë informata për këto lloj komunikime.

E përsëri anëtari i PDK-së reagoi duke thënë se po hiqen nga rendi i ditës këto pika, pasi dihet fakti se krijimi i qendrave alternative të votimit, nuk mund të bëhet pa një raport të akterëve të sigurisë.

Gashi po ashtu në këtë mbledhje të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, u interesua të di se pse KKZ dhe ZLKZ-së, tash janë vendosur në stacionet policore, derisa vendimi ishte që ato të vendoseshin në qendrat e regjistrit civil.

E kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj u shpreh se ky vendim ka ardhur pas koordinimit me organet e sigurisë, pas kërkesës së tyre për një ambient të përshtatshëm për nga hapësira dhe aspekti i sigurisë.

Sipas tij, hapësirat në zyrat e regjistrit civil ishte të ngushta për zhvillimin e punës.

E gjatë mbledhjes së sotme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi përmbajtjen dhe dizajnin e  fletëvotimeve për dy proceset zgjedhore që do të mbahen më 23 prill, pra për zgjedhjet për kryetar në katër komuna dhe në dy prej tyre edhe për kuvendet komunale.

Po ashtu, KQZ certifikoi edhe listën përfundimtare të votuesve për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në katër komunat: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, si dhe për dy kuvendet komunale: Zveçan dhe Leposaviq, të cilat do të mbahen më 23 prill.

Kjo listë përmban 45,095 emra të votuesve, apo 1,345 votues më shumë në krahasim me Zgjedhjet Lokale 2021.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025