Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi konkluzionet dhe rekomandimet e dala nga punëtoria për mësimet e nxëna nga zgjedhjet lokale 2025 dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare 2025, duke hapur rrugën për ndryshime eventuale në Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe në Ligji për financimin e subjekteve politike.
Anëtari i KQZ-së nga PDK-ja, Ilir Gashi, tha se një rekomandim i cili kërkon ndryshime kushtetuese është jashtë domenit tonë.
Anëtari i KQZ-së nga radhët e Vetëvendosjes, Sami Kurteshi, tha se KQZ-ja e ka për detyrë të japë rekomandime, pavarësisht nëse ato janë obligative apo jo.
“I kemi pasë mundësitë me diskutu relativisht gjatë rreth këtyre çështjeve dhe mos me u pajtu dhe me u pajtu, dhe kjo ka qenë e mirë, por unë mendoj që janë nxjerrë disa rekomandime të mira. Ndoshta në nuanca nuk pajtohemi. Ne si trup profesional e kemi për detyrë me bë rekomandime. Një, domethënë, i bëjmë rekomandimet për jashtë sepse për brenda, ndryshimin e rregulloreve ne e bëjmë nëse pajtohemi edhe e bëjmë lehtë, s’duhet me pyet askënd. Por ne si trup profesional, edhe çdo trup profesionale e ka për detyrë me bë rekomandim. Rekomandimi është jo obligativ. A ta marrin rekomandimet? Natyrisht që i bëjmë me sqarime dhe arsyetime, qofshin ato ligjore, qofshin kushtetuese. Nuk pritet prej askujt tjetër me bë rekomandim ashtu qysh bën trupa profesionale që ballafaqohet me zbatimin e ligjit edhe të kushtetutës edhe të rregulloreve”.
“Ne do ta diskutojmë në planin e punës edhe sigurisht do të shkojnë si rekomandime. Për anën tjetër, a do të ndërrohet, a do të bjerë prej 10-shit në 5-she, në 3-she, edhe tjetrën 60-ditësh, unë po ju rikujtoj që në një grup punues që kemi punuar për reformën zgjedhore, shumica jemi këtu. Këtë propozim e kemi pasë prej misionit vëzhgues të BE-së, pavarësisht u pa që s’ekziston një momentum me hy në ndryshim kushtetues, po që është nevojë me u bë. Edhe ky rekomandim shkon që nëse ka mundësi të bëhet, se dihet që pa ndryshim kushtetues atëherë u pa që s’do të jetë mundësia atje edhe që u pa që s’ashtë praktike”, tha ai.
Përfaqësuesi serb u ankua se Ligji për zgjedhjet e përgjithshme nuk e përmend fare temën e vendeve të rezervuara, se kujt I takojnë ato dhe se kush e bën verifikimin.
Më pas Sami Hamiti e kritikoi përfaqësuesin serb që nuk mori pjesë në punëtori dhe se aty do ta kuptonte që u fol për këto ankesa
Përfaqësuesi serb Serbi më pas u arsyetua se veç po kujdeset që në zgjedhjet e reja të mos jetë më problem kjo temë e vjetër.
Në këtë mbledhje u shty miratimi i rekomandimit për ndarjen e mjeteve nga Fondi për mbështetjen e subjekteve politike për vitin 2026. Sipas drejtorit të Zyrës për regjistrim, certifikim dhe kontroll financiar të subjekteve politike, Besnik Buzhala, buxheti mbetet rreth 4.8 milionë euro, sa ishte edhe vitin e kaluar.