Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me 10 vota për ka votuar për të pezulluar subjektin politik “Graðanska Inicijativa Gore”, kjo për shkak që ky subjekt politik nuk ka mbajtur Kuvendin Zgjedhor me datën e paraparë e që ka qenë 20 qershori i këtij viti.
Por, i është dhënë afat prej 45 ditësh që të mbajë të njëjtin.
Ndërsa, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi tregoi që ky rekomandim u votua më 10 vota për, çka bëri që kjo parti politike të pezullohet.
Në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, drejtori Besnik Buzhala rekomandoi regjistrimin e partisë politike, “Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës”.
Ndërsa, Arianit Elshani, anëtar i KQZ-së nga Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar të dijë nëse ka subjekte që nuk e kanë përfunduar procesin e regjistrimit.
Derisa sipas Buzhalës Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës është subjekti i fundit që regjistrohet si iniciative qytetare. Andaj tha se nëse anëtarët vendosin për regjistrim shndërrohet si parti politike.
Tutje anëtarët e KQZ-së kanë miratuar rekomandimin për privim të përfitimit të mjeteve financiare nga Fondi për Mbështetjen e Subjekteve Politike për subjektin politik Partia e Ashkëtinjve për Integrim për vitin 2025.
Buzhala ka thënë se kanë arritur në përfundim se subjekti politik nuk ka bashkëpunuar me zyrën ligjore të auditorit.