“KPM nuk duhet të tërheqë licencën e medias për Klan Kosova”
Lexohet për: 5 min.
Rrjeti SafeJournalists
1 vit më parë
Linku u kopjua

Rrjeti SafeJournalists, që përfaqëson më shumë se 8,200 profesionistë të medias në Ballkanin Perëndimor, i bashkohet AGK-së, për të kërkuar nga Komisioni i Pavarur i Mediave të mos tërheqë licencën e medias dhe të lejojë që procedurat administrative të zhvillohen pa presion.

Rrjeti SafeJournalists i përbërë nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë, Shoqata e Gazetarëve të BH, Shoqata e Gazetarëve Kroatë, Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë, Sindikata e Mediave të Malit të Zi, njofton se do të informojë palët përkatëse kombëtare dhe ndërkombëtare për këtë rast.

“Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve”, thuhet në reagim.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e konsideron veprimin e Qeverisë, Kryeministrit Albin Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje si të pa precedent në historinë e re të Kosovës dhe një përpjekje direkte për të diktuar dhe kontrolluar përmbajtjen e Klan Kosova. AGK beson se një vendim i tillë u mor me qëllimin për të dërguar një mesazh edhe te mediat e tjera, dhe se liria e mediave dhe shprehjes nuk ka qenë kurrëherë më e kërcënuar se sa tani.

"Jemi të tronditur nga ky vendim, i pari në llojin e vet në vend që nga përfundimi i luftës. Kjo është një përpjekje e qartë e kësaj qeverie për të ushtruar ndikimin e saj mbi mediat private. Është një akt politik, i mirëplanifikuar në një mjedis gjithnjë e më të vështirë të medias në Kosovë. Jemi të shqetësuar për punën e gazetarëve tanë, operatorëve të kamerave dhe punonjësve të tjerë të kanalit, në këtë kohë të pasigurta." - tha Xhemajl Rexha, kryetar i bordit të AGK-së.

Lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe KMDLNj.

“MINT – i, me një shpejtësi të jashtëzakonshme dhe në një atmosferë të territ informativ mori vendim që t’i heq licencën Televizionit Klan Kosova me një arsyetim të paqëndrueshëm dhe të pambështetur në ligj që nënkupton legalizimin e përndjekjes, fillimisht të KlanKosova e pastaj edhe mediave tjera. Ky vendim u kundërshtua fuqishëm nga mediet tjera hiç këtu mediat e afërta me qeverinë sikur edhe shoqëria civile që ka krijuar raport klientelist me qeverinë. Është e vërtetë se qeveria nuk mund të mbyllë asnjë medium përveç rasteve kur kemi shkelje të rënda ligjore dhe kur mediumi mbyllet me vendim të gjykatës. Në anën tjetër është një Komision i Pavarur i Mediave që ka mandat dhe përgjegjësi të vendosë rregull në fushëveprimin e mediave dhe se ka kapacitet ligjor edhe të mbyllë media që bien në kundërshtim me ligjin. Në rrethana normale ky Komision nuk mund të fajësohet për mbyllje të mediave nëse ky veprim është në përputhje me ligjin. Në rrethana të përpjekjeve për ushtrim ndikimi në këtë Komision nga politika dhe qeveria, pashmangshëm se një vendim i tillë duhet të kundërshtohet si i dyshimtë dhe i imponuar. Liria e fjalës, liria e informimit dhe puna e papenguar e mediave janë vlera universale demokratike që ndërtohen mbi një themel të fuqishëm, mbi themelin e respektimit të të drejtave të njeriut në të gjitha vendet me një demokraci të përparuar dhe të konsoliduar si edhe të atyre demokracive që bëjnë përpjekje të fuqizohen përmes këtyre të drejtave. Publiku ka nevojë të informohet drejtë, në mënyrë objektive dhe profesionale për zhvillimet që përbëjnë interes për publikun ndërsa mediat janë përçuesi kryesor që ua siguron këto informata, në përputhje me mandatin dhe kodeksin profesional të vet medias”, thuhet në reagim.

KMDLNj  thekson se lufta e shpallur dhe e pashpallur kundër mediave asnjëherë nuk ka qenë e shëndetshme për asnjë qeveri, gjithmonë qeveritë kanë qenë palë të humbura. Madje, edhe në raste të mediave të dyshimta.

“KMDLNj – ë fuqishëm përkrahë lirinë e fjalës dhe pavarësinë e mediave, si njëra ndër të drejtat elementare të njeriut pa të cilat asnjë demokraci nuk do të kishte kuptim. Në këtë kontekst kërkon nga Komisioni i Pavarur i Mediave që të mos ndikohet nga politika në marrje të një vendimi që dëmton lirinë e informimit dhe pavarësinë e mediave në përgjithësi kurse, në rastin konkret të Klan Kosovës, në veçanti. KMDLNj –ë vlerëson se vendimi i MINT –it për heqje të licencës ndaj Klan Kosovës, me këtë shpejtësi dhe në rrethana të mjegulluara ligjore, është një sinjal që edhe KPM të veprojë si MINT e që do të përbënte ndërhyrje flagrante në fushën e informimit duke e rrezikuar, edhe lirinë e fjalës si dhe pavarësinë e mediave. KMDLNj –ë thërret të gjitha mediat t’i përmbahen mandatit për një informim profesional, të drejtë dhe të pakorruptuar profesionalisht e që do të ishte garanti më i mirë se po e bëjnë punën mirë dhe se meritojnë të përkrahen”, thuhet në reagim.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025