KPM ndëshkon kabllorët, reagon MINT
Lexohet për: 2 min.
10 muaj më parë
Linku u kopjua

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) sot u ka shqiptuar gjoba katër shpërndarësve të rrjetit kabllor në Kosovë, në vlerë 100 mijë euro.

Sipas vendimit të Bordit të KPM-së, Artmotion është dënuar me 64 mijë euro, Kujtesa me 26 mijë euro, IPKO me 7 mijë euro dhe Telkos me 3 mijë euro.

Nga fillimi i janarit e deri më tani, në KPM ishin deponuar mbi 300 ankesa nga klientët e këtyre operatorëve për largim pa paralajmërim të kanaleve të DigitAlb-it nga transmetimi.

Pas këtij vendimi të KPM-së, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka reaguar duke thënë ndëshkimi i operatorëve kabllorë ka ardhur pas adresimit në afat rekord të rreth 350 ankesave nga MINT.  

“Pas adresimit në afat rekord të afro 350 ankesave të pranuara vetëm brenda dy javëve të para të këtij muaji, nga qytetarët, në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe si rezultat i bashkëpunimit ndër-institucional efektiv dhe të shpejt, Komisioni i Pavarur për Media ka shqiptuar gjobë ndaj katër operatorëve kabllorë, për të cilët ka pasur ankesa se nuk i janë përmbajtur kushteve të kontratave me konsumatorët”, thuhet në njoftim.

Më tej thuhet se Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, mbetet maksimalisht e përkushtuar për të adresuar secilën ankesë, përbrenda afateve ligjore, tek institucionet përkatëse, në mënyrë që konsumatorëve t’u mbrohet e drejta e tyre e garantuar me ligj, dhe që shkelësit e ligjit, respektivisht të drejtave të konsumatorit, të ndëshkohen sipas legjislacionit në fuqi.

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, gjegjësisht Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, mbeten maksimalisht të përkushtuar për të mbrojtur të drejtat e konsumatorit, për çka ftojnë qytetarët që ankesat t’i paraqesin duke telefonuar në numrin pa pagesë 0800 11000 apo përmes email adresës: [email protected]”, thuhet në fund të komunikatës.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024