Agjencia e lajmeve KosovaPress dhe Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSh) kanë rikonfirmuar bashkëpunimin e suksesshëm mbi një dekadë duke ripërtërirë marrëveshjen mes dy mediave që përfshin shkëmbimin e informacioneve dhe materialeve të tjera si fotografi dhe video.
Marrëveshja është nënshkruar nga krerët e të dy mediave, drejtoresha e KosovaPress, Suzana Rakovica, si dhe drejtoresha e ATSh, Valbona Zhupa. Përmes kësaj marrëveshjeje, jeta politike, sociale e kulturore e të dy vendeve vjen më afër për ndjekësit e të dy agjencive përmes informacioneve të sakta.

“Privilegj nga ana ime që nënshkruaj këtë marrëveshje, të dy agjencitë tona do të jenë zë i qytetarëve shqiptarë në rajon, Evropë dhe më gjerë. Ne jemi duke punuar shumë për të ardhmen, fillimisht me lobimin tonë që KosovaPress të bëhet pjesë e EANA-s por edhe të krijohet Dhoma Ballkanike e Lajmeve, mes agjencive të lajmeve ballkanike”, tha ajo.
Ndërsa, Rakovica, ka shprehur falënderime për mbështetjen e vazhdueshme që Agjencia Telegrafike Shqiptare i ka dhënë KosovaPress-it si nga ana profesionale po ashtu edhe në lobimin për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare të agjencive të lajmeve.
KosovaPress aktualisht është pjesë e Rrjetit Ballkanik të Lajmeve si ABNA, ndërsa synon të bëhet pjesë edhe e Rrjetit Evropian e njohur si EANA. Javë më parë, KosovaPress nënshkroi marrëveshje me Agjencinë bullgare të Lajmeve BTA, si pjesë e procesit për ngritjen e Dhomës Ballkanike të Lajmeve.
