KosovaJob organizon samitin për fuqizimin e rolit të burimeve njerëzore
Lexohet për: 8 min.
10 muaj më parë
Linku u kopjua
KosovaJob, platforma më gjigande në vendin tonë për mundësitë e punësimit, sot organizoi samitin më të madh për Burimet Njerëzore “PowerToHR”. Qindra të pranishëm patën mundësinë të dëgjojnë fjalimet e udhëheqësve nga kompanitë më eminente në botë. Ndërkaq, qëllimi i këtij eventi është fuqizimi i personave që punojnë në burimet njerëzore, ngase konsiderohet se të njëjtit nuk po vlerësohen sa duhet për atë që bëjnë.
Idenë për mbledhjen e komunitetit të burimeve njerëzore, për të ndarë eksperienca dhe për të mësuar nga njëri-tjetri e përkrahën edhe banka komerciale “ProCredit Bank” dhe operatori i telefonisë mobile “IPKO”, ngase të njëjtit vlerësojnë se fuqizimi i burimeve njerëzore është çelësi i suksesit.
Themeluesi dhe udhëheqësi i KosovaJob dhe HumanPower, Arion Rizaj tha se punonjësit e burimeve njerëzore në Kosovë shpeshherë janë nënvlerësuar për rolin dhe funksionin që e kanë nëpër organizata, prandaj sipas tij, edhe erdhi ideja për organizmin e një samiti të tillë.
Rizaj theksoi se burimet njerëzore e kanë një funksion shumë të rëndësishme nëpër kompani, për cak thotë se edhe është shtylla kryesore që ndikon në zhvillimin e njerëzve.
Ai tha se ky event do të ketë sukses të madh, njëjtë sikur vitin e kaluar, derisa shtoi se pjesëmarrja e madhe e personave në këtë organizim, dëshmojnë se të njëjtit kanë mundur të nxjerrin gjëra pozitive nga “PowerToHR”.
"HR (Human Resources - Burime Njerëzore) në Kosovë shpeshherë janë të nënvlerësuar për rolin dhe funksionin që e kanë nëpër organizata. Ideja prej fillimit ka qenë për ta fuqizuar HR, për t'i fuqizuar personat që punojnë në burime njerëzore, që të gjithë të dinë HR e ka një funksion shumë të rëndësishëm në kompani, sepse është shtylla kryesorë që ka të bëjë me zhvillimin e njerëzve. Të gjithë e dimë që pa pasur njerëz, në një kompani, në një organizatë, nuk mund të ecë përpara. Kështu që, si përfundim, ky mbetet qëllimi kryesor i HR, ta mbledhë komunitetin e HR bashkë, për të ndarë eksperiencën, të mësojnë prej njëri tjetrit dhe të marrin eksperienca prej folësve që po i sjellin prej vendeve të ndryshme të botës...Mendoj që eventi është jashtëzakonisht i suksesshëm edhe që dëshmon që nëse herën e parë kanë ardhur për kureshtje, por fakti që po vijnë për herën e dytë dhe po vijnë në numër shumë më të madh dhe një pjesë shumë e madhe e tyre janë njerëz që kanë qenë vitin e kaluar, kjo dëshmon që kanë mundur të nxjerrin diçka pozitive prej PowerToHR si samit, si organizim", theksoi Rizaj.
Nismës për të fuqizuar burimet njerëzore, iu bashkëngjit edhe kompania e telekomunikacionit “IPKO”.
Drejtoresha për burime njerëzore në këtë kompani, Arta Koka-Grubi tha se duke parë suksesin që ka pasur ky samit vitin e kaluar, kanë vendosur që ta përkrahin prapë një ide të tillë.
Koka-Grubi theksoi se pjesëmarrja e folësve nga vende të ndryshme të botës me një bagazh të suksesshëm në samitin “PowerToHR” ishte ndër arsyet që i shtyri si kompani për të mbështetur një organizim të tillë.
Ajo tha se do të vazhdojnë edhe viteve të tjera në përkrahjen e qëllimeve dhe ideve që kanë të bëjnë me fuqizimin e burimeve njerëzore.
"E kemi vërejtur vitin e kaluar që ka pasur një sukses shumë të madh, Power to HR, në krye me Arionin, kështu që kemi vend sivjet ta përkrahim me idenë që e kemi vërejtur që shumë ekspertë prej vendeve të ndryshme po vijnë dhe po sjellin ide, po sjellin eksperiencë, të gjitha dijenitë të cilat ata i kanë marrë, kompani shumë të mëdha botërore. Për këtë arsye, e pamë të arsyeshme që edhe këtë herë me qenë partnerë bashkë me PowerToHR, për t’i ndihmuar jo vetëm IPKO-s me ide të reja, por të gjithë komunitetit të burimeve njerëzore këtu në Kosovë, si dhe bizneseve në përgjithësi...Eksperiencat janë shumë të vlefshme për stafin tonë në departamentin e burimeve njerëzore, por ndihmojnë në përgjithësi edhe IPKO-në, sepse edhe vetë stafi i IPKO-s e sheh se sa shumë ne i përkrahim burimet njerëzore, njerëzit në përgjithësi. Me PowerToHR do të vazhdojmë, jam shumë e sigurt që do të jemi partnerë edhe vitin e ardhshëm", u shpreh Koka-Grubi.
Po ashtu edhe institucioni bankar “ProCredit Bank” ka shprehur gatishmërinë të bëhet njëri nga sponsorët e këtij samiti, ngase vlerësojnë se roli i burimeve njerëzore është esencial në çdo kompani.
Udhëheqësja e burimeve njerëzore në këtë institucion, Albina Metaj-Ajvazi tha se për ta ka qenë shumë e rëndësishme që t’i japin mbështetje një ideje të tillë, e cila ka për qëllim fuqizimin e burimeve njerëzore.
Metaj-Ajvazi vlerëson se secili pjesëmarrës në këtë event do të dalë me njohuri të reja, që do t’i mundëson njohjen më të mirë të tregut të punës.
"Kemi pas nderin me qenë një prej sponsorëve kryesorë në këtë event, është hera e dytë që organizohet. Vitin e kaluar kemi pas pjesëmarrje përmes paneleve, kemi dashur të përcjellim tek publiku pozicionin e HR(Burime Njerëzore) dhe institucionit në treg. Definitivisht në një kompani është kyç, sepse një institucion e krijojnë njerëzit, kështu që sa më profesionistë janë këta individë, sa më shumë të merren me zhvillimin e individëve, ajo kompani, ai institucion do të jetë më si suksesshëm. Për neve ka qenë shumë me rëndësi që t'i japim një shtysë përpara, meqenëse është ende në fillimet e veta si samit, është vetëm viti i dytë, ta përkrahim sepse mendojmë që roli i HR (Human Resources - Burime Njerëzore) është esencial në çdo kompani. Ne jemi institucion që kemi impakt në shoqëri, në mjedis. Impaktin tonë në shoqëri kemi dashur përmes mbështetjes së këtij samiti, sepse mendojmë që secili pjesëmarrës do të dalë me njohuri të reja do të ketë mundësi ta njohë tregun e punës që të integrohen, që të zhvillohen, ta bëjnë një karrierë të suksesshme", tha Metaj-Ajvazi.
Pjesë e samitit “PowerToHR”, duke ndarë eksperiencën e saj të ndërtuar ndër vite si një grua e suksesshme në kompaninë “Booking”, ishte edhe Oana Iordachescu.
Ajo tha se shumica prej nesh po përpiqen të gjejnë mënyra të reja në vazhdimësi për të inovuar në tërheqjen dhe ruajtjen e talentit që sipas saj nevojitet për bizneset tona në rritje, në zhvillim dhe në ndryshim.
“Shumica prej nesh sot po përpiqen vërtet të gjejnë mënyra të reja vazhdimisht për të inovuar në tërheqjen dhe ruajtjen e talentit që na nevojitet për bizneset tona në rritje, në zhvillim dhe në ndryshim. Disi ajo që kam vënë re edhe në rajon është se kjo është veçanërisht e vështirë kur punësoni në Tech, por edhe kur punësoni në financa dhe shëndetësi. Këto janë industri që po ndryshojnë rrënjësisht nën sytë tanë dhe është shumë e rëndësishme ta mbajmë në krye të listës këtë. Unë dua t'ju flas pak dhe ndoshta imagjinoni veten në këtë hapësirë nëse punoni me organizata ndoshta ndërkombëtare globale, ose nëse punoni me më shumë organizata rajonale lokale, ky ishte pak mësimi im, kur kemi të bëjmë me organizata në Evropën Perëndimore apo edhe më shumë në SHBA, Australi, Azi e kështu me radhë, pra sfida e madhe është në fakt të kesh furnizim (kuadro) të mjaftueshëm. Ka furnizim (kuadro) të mirë, cilësi të mirë talentesh, por nuk mjafton. Gjermania vitin e kaluar njoftoi se i mungojnë 400.000 njerëz për të mbajtur në të vërtetë rritjen e tyre ekonomike, dhe këtë vit ata në fakt po shpallin ngadalësimin e ekonomisë së tyre”, theksoi Iordachescu.
Platforma e punësimit në vend, KosovaJob që ka sjellë inovacion në fushën e punësimit dhe shërben tash e një dekadë si urë-lidhëse mese punonjësve dhe punëdhënësve po e bën edhe një hap më tutje. Përgjatë samitit u prezantua produkti i saj më i ri duke hapur një kapitull të ri në rekrutim me inteligjencën artificiale.
“PowerToHR” filloi me edicionin e parë në vitin 2023, ku arriti të mbledhë në Klan Arena rreth 400 pjesëmarrës duke u ofruar përvoja të reja dhe mundësi të rrjetëzimit. Me edicionin e dytë po shndërrohet në një event tradicional./Z. Zeneli/