Me moton “Tash edhe më lehtë“ Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), ka shënuar Ditën Ndërkombëtare për Lirinë e Informimit, me ç’rast u mbajt edhe një diskutim me kryetarët e komunave, ku u tha se Kosova radhitet më së miri në rajon sa i përket llogaridhënies dhe transparencës komunale.
Komisionerja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva-Dërmaku u shpreh se qasja në dokumente publike është krucial për një shoqëri të hapur dhe demokratike.
“Sivjet me moton ‘tash edhe më lehtë‘ Agjencia për Informim dhe Privatësi fillon javën e informimit me konferencën e sotme bashkë me ju kryetarë të komunave dhe përfaqësues me qëllim të ngritjes së ndërgjegjësimit për rëndësinë e publikimit me vetiniciative të dokumenteve publike, për komuna të hapura, transparente dhe llogaridhënëse ndaj qytetarëve tuaj. Qasja më e lehtë në dokumente publike e përmes saj edhe përfshirja e qytetarëve në qeverisjen lokale është një element krucial për në shoqëri të hapur dhe demokratike. Prandaj, sivjet moton e kemi ‘Tash edhe më lehtë‘ për çka ne edhe presim një publikim proaktiv me vetë iniciativë nga ana juaj në mënyrë që t’i përfshini qytetarët tuaj në vendimmarrje, por edhe t’u bëni atyre jetën më të lehtë“, theksoi ajo.
Zëvendësshefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Kilian Wahl tha se si mision kanë mbështetur institucionet e Kosovës në avancimin e qasje në dokumente publike.
E drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi u shpreh se Kosova radhitet më së miri sa i përket transparencës dhe llogaridhënies nga ana e komunave.
Ibrahimi theksoi se ëeb faqet e komunave deri vonë nuk kanë qenë aq funksionale, por tash qëndrojnë shumë më mirë.
Në bazë të një raporti nga Agjencia për Informim dhe Privatësi të prezantuar nga Valon Kryeziu, ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm të agjencisë, thuhet se ky institucion ka pranuar numrin më të madh të ankesave për komunën e Prishtinës, gjithsej 17 sosh kryesisht nga individë dhe organizata joqeveritare.
E pas Prishtinës me numrin më të madh të ankesave renditet Kaçaniku.
Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) në kuadër të shënimit të Javës për Qasje në Dokumente Zyrtare ka organizuar një sërë aktivitetesh.