Komuna e Prishtinës rrezikon stabilitetin financiar
Tema
Lexohet për: 3 min.
Mbledhja e Kuvendit te Komunes se Prishtines (6 of 9)
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Në mungesë kuorumi, Komuna e Prishtinës po dështon të votojë buxhetin për vitin 2025 - në vlerë prej 128 milionë euro. Nëse miratimi i buxhetit nuk bëhet deri në dhjetor atëherë ky institucion do të përballet me vështirësi në kryerjen e investimeve kapitale. Ngecja e këtij procesi rrezikon edhe shpërndarjen e kuvendit.

Një seancë e jashtëzakonshme për të votuar buxhetin po planifikohet të thirret këtë muaj, derisa partitë opozitare - Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje - deri tash nuk kanë votë për miratimin e këtij buxheti.

Nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj thotë për KosovaPress se pret që partitë opozitare të dakordohen për miratimin e buxhetit.

Afati i rregullt për votimin e buxhetit ishte deri më 30 shtator. Ndërkaq, kërkesa për ndarje buxhetore mund të bëhet më së largu deri në pranverë të 2025-ës.

Gati që një vit kryetari i Prishtinës, Përparim Rama po qeverisë me pakicë. PDK - që ishte partner koalicioni - ishte larguar zyrtarisht në fillim të këtij viti.

Zogaj pranon se mos-votimi i buxhetit e fut Prishtinën në një fazë jo stabile.

Në anën tjetër, asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Feim Osmani e sheh si të pakuptimtë kalimin e buxhetit aktual pasi sipas tij nuk i përmban as “premtimet e vetë fushatës së kryetarit Përparim Rama”.

Ndërkaq, shefi i asamblistëve i PDK-së, Leutrim Retkoceri kërkon transparencë në projektet buxhetore.

Hulumtuesi i lartë në INPO – organizatë që monitoron punën e komunës , Diellor Gashi thotë për KosovaPress se ka pasur një vonesë prej ekzekutivit në dorëzimin me kohë të buxhetit në kuvend.

Gashi rendit pasojat të cilat mund t’i shkaktohen Komunës së Prishtinës nëse nuk miratohet buxheti brenda këtij viti.

Ai thotë se gjashtëmujori i parë i viti 2025 mund të kalojë pa investime kapitale për shkak të vonesës së procedurave të prokurimit publik për investime kapitale.

Sipas Ligjit për Vetëqeverisje lokale, Kuvendi i Komunës konsiderohet jofunksionues nëse: nuk e zgjedh kryesuesin, tridhjetë ditë pas themelimit; nuk miraton statutin e saj brenda gjashtëdhjetë ditësh pas themelimit; nuk miraton buxhetin sipas afatit të paraparë me ligjin përkatës; ose nuk mban mbledhje për një periudhë më të gjatë se gashtë muaj.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024