Kosova njihet zyrtarisht nga kompania Amazon
Biznes
Lexohet për: 2 min.
Kosova njihet zyrtarisht nga kompania Amazon dhe vendoset në të gjitha platformat e saj.
Sipas një komunikate të Presidencës, Kosova është njohur zyrtarisht nga kompania Amazon dhe është përfshirë tashmë në të gjitha platformat e saj.
“Me përfshirjen në të gjitha platformat e Amazon-it, Republika e Kosovës shënon një moment të rëndësishëm në zhvillimin dhe transformimin digjital të vendit. Kjo arritje vjen si rezultat i takimeve të nivelit të lartë të mbajtura në tetor të këtij viti, ndërmjet Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe përfaqësuesve të kompanisë Amazon në Ëashington D.C., SHBA. Këto diskutime janë gjithashtu pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të ndërmarra nga Task Forca për Diplomacinë Digjitale, një iniciativë e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, e mbështetur nga Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë. Prania në platformat Amazon, u mundëson individëve dhe bizneseve kosovare ta zgjerojnë shtrirjen e tyre dhe t'i prezantojnë produktet vendore para një audience globale në amazon.com, duke nxitur rritjen ekonomike dhe inovacionin. Ky zhvillim gjithashtu lehtëson qasjen për konsumatorët, të cilët mund të lidhen pa pengesa me një nga platformat më të mëdha të tregtisë elektronike në botë, si dhe përdorimin e shërbimeve si: Amazon Ëeb Services (AËS), Amazon Alexa, etj. Ky zhvillim është një dëshmi e qartë e fuqisë së diplomacisë dhe bashkëpunimit publiko-privat në avancimin e interesave ekonomike dhe zhvillimit të Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Sipas komunikatës, presidentja Osmani në bashkëpunim me Odën Ekonomike Amerikane, po zhvillon takime të vazhdueshme edhe me platforma të tjera të rëndësishme digjitale, të cilat janë thelbësore për zhvillimin e sektorit të biznesit në vend dhe ekosistemit digjital në përgjithësi.
Deri më tani Kosova ka qenë i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk është njohur nga Amazon, ku qytetarët dhe bizneset kanë pasur probleme në blerjen e produkteve të ndryshme.