Kosova në pritje të shqyrtimit të aplikimit për anëtarësim në BE
Tema
Lexohet për: 4 min.
Aplikimi ne be
13 orë më parë
Linku u kopjua

Sot janë bërë dy vjet që kur Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Bashkim Evropian. Ani pse unioni evropian e ka pranuar aplikacionin e Kosovës që nga 15 dhjetori i vitit 2022, të njëjtin ende nuk e ka shqyrtuar. Në Qeverinë e Kosovës presin lëvizje pozitive në marrjen e statusit vend-kandidat nga udhëheqja e re e Bashkimit Evropian dhe presidenca e ardhshme e Polonisë që nga janari i 2025-tës. Mirëpo, në shtetin e Francës, thonë se disa vende të BE-së, nuk janë të bindur se tani është momenti i përshtatshëm për t’i dhënë dritën e gjelbër Kosovës. Sipas vendit kyç të BE-së, Kosova duhet të plotësojë edhe disa kushte politike, siç është zbatimi i marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut me Serbinë.

Skeptik se Kosovës do t’i jepet statusi vend-kandidat për anëtarësim në BE janë edhe njohësit e proceseve euro-integruese.

Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, thotë për KosovaPress, se Kosova meriton marrjen e statusit të vendit kandidat, e këtë sipas tij, do ta dëshmojnë me të pranuar pyetësorin e plotësuar atë sipas kritereve dhe afateve të përcaktuara nga Bashkimi Evropian.

Ai bën të ditur se zëvendëskryeministri Bislimi veçse ka nisur konsultimet me presidencën polake, e cila do të merr kryesimin e Këshillit të BE-së, për gjashtë muajt e parë të vitit 2025.

“Kosova është gati për këtë, dhe qëndron me vullnet e gatishmëri të lartë të dëshmojë nivelin institucional të përgatitjes kurdo që Bashkimi Evropian është i gatshëm t'ia hapë këtë rrugë Republikës së Kosovës. Këtë, e dëshmuam edhe përmes Planit të Rritjes dhe punës masive të zhvilluar në këtë proces, ku dhe u përgëzuam nga Bashkimi Evropian për nivelin e përgatitjes. Ne qëndrojmë në pritje të pranimit të pyetësorit dhe vlerësimit në bazë të meritokracisë për s  në proces. Kosova e meriton marrjen e statusit të vendit kandidat, e këtë do ta dëshmojmë me të pranuar pyetësorin e plotësuar atë sipas kritereve dhe afateve të përcaktuara nga Bashkimi Evropian. Mbetemi të përkushtuar maksimalisht në argumentimin e rëndësisë së këtij hapi dhe nivelit të përgatitjes së Kosovës, andaj edhe presim hapa konkretë me ardhjen e konstelacionit të ri në përbërjen e institucioneve në Bashkimin Evropian, dhe presidencën e ardhshme të Polonisë nga janari. Konsultimet me Presidencën e Polonisë, kanë nisur që më herët e veçanërisht në vizitën e fundit të zëvendëskryeministrit Bislimi në Varshavë”, thotë ai në një përgjigje për KosovaPress.

Mirëpo, ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se Kosova duhet të angazhohet më shumë në dialogun me Serbinë që t’i bind vendet anëtarë të BE-së, se tani është momenti i duhur që të shqyrtohet aplikacioni i Kosovës.

Sipas tij, një nga kushtet më të rëndësishme politike është që Kosova të zbatojë marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit, të arritur me Serbinë në vitin 2023.

Në anën tjetër, analisti politik, Albinot Maloku, thotë se zvarritja e shqyrtimit të aplikacionit të Kosovës për anëtarësim në BE po bëhet për shkak se kjo e fundit s’ka vizion të qartë për rrugën evropiane të Kosovës.

Kosova ka dorëzuar aplikimin për marrjen e statusit vend-kandidat për anëtarësim në BE më 15 dhjetor 2022, kur presidenca e Këshillit të BE-së udhëhiqej nga Çekia.

Aktualisht presidencën e unionit evropian e ka Hungaria. Kurse, nga 1 janari i 2025 do ta marrë Polonia.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024