Shkruan: Liu Shih-Chung
Vizita e fundit në Tajvan e një grupi miqësie shumë partiak të deputetëve të Kuvendit të Kosovës ishte një dëshmi e vizionit, mundësive dhe përfitimeve reciproke për të dyja vendet.
Nëpërmjet diskutimeve të tyre me liderët e Tajvanit, përfaqësuesit parlamentarë, OJQ-të dhe sektorët privatë, të dyja palët arritën një konsensus për bashkëpunimin e ardhshëm në fushën e ekonomisë, tregtisë dhe veçanërisht në fushën e IT-së.
Kosova ka potencialin për t'u bërë lider evropian në këtë fushë, dhe ne jemi të ngazëllyer që ta eksplorojmë këtë mundësi më tej dhe të jemi pjesë e rrugëtimit të Kosovës drejt një ekonomie më të begatë dhe më të zhvilluar.
Të dy vendet janë të përkushtuara ndaj demokracisë, të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës.
Si shoqëri të vogla dhe dinamike ato përballen me sfida të ngjashme në skenën globale. Duke rritur bashkëpunimin dypalësh në ekonomi, tregti dhe investime, Tajvani dhe Kosova mund të krijojnë një partneritet me përfitime të dyanshme, duke kontribuuar në përhapjen e vlerave të përbashkëta.
Duke ndarë ekspertizën dhe duke bashkëpunuar në projekte të përbashkëta, të dy vendet mund të rrisin konkurrencën dhe të krijohen mundësi të reja për bizneset tona.
Për sa i përket tregtisë, Tajvani ka një ekonomi të fortë të orientuar nga eksporti, me fokus në IT, elektronikë, makineri dhe rafineri. Kosova, në anën tjetër, është një importues neto i mallrave të përpunuara dhe ka një treg të konsumit në rritje. Duke rritur tregtinë ndërmjet dy vendeve, të dyja palët mund të përfitojnë nga tregje të reja dhe akses më të madh në mallra dhe shërbime. Megjithatë, Kosova duhet të arrijë hapin me vendet e tjera për të tërhequr investime potenciale tajvaneze.
Tajvani është i gatshëm të mbështesë Kosovën në këtë rrugëtim duke ofruar përvojën e saj të vlefshme në fushën e IT-së, energjisë dhe fusha të tjera me interes të përbashkët. Ne jemi të përkushtuar që të ndihmojmë zhvillimin ekonomik të Kosovës përmes shkëmbimeve tregtare, investimeve dhe bashkëpunimit ekonomik.
Si një qytetar i Tajvanit, unë e di vetë se si sektori i IT-së mund të transformojë ekonominë e një vendi.
Kosova mund të mësojë shumë nga përvoja e Tajvanit dhe të transformojë potencialin e saj në sektorin e IT-së në një interes kombëtar dhe promovues të zhvillimit ekonomik dhe transformimit social.
Dritarja e mundësive po hapet tani. Ndërsa gjithnjë e më shumë vende në Evropë, Ballkan dhe Baltik po shikojnë drejt Tajvanit për të ndërtuar një partneritet më të fortë ekonomik.
Tajvani, për shembull, po përballet me presion në rritje nga Kina për të minuar sovranitetin dhe institucionet e saj demokratike dhe për ta izoluar atë nga organizatat ndërkombëtare.
Ndërkohë, Serbia njëjtë po sfidon sovranitetin, funksionimin demokratik dhe pjesëmarrjen ndërkombëtare të Kosovës.
U deshën gati dy dekada që Tajvani të ndërtojë "fuqinë e butë", për të forcuar marrëdhëniet thelbësore, por jo domosdoshmërisht zyrtare me shumicën e vendeve në botë.
Demokracia, siguria dhe ekonomia janë tri shtyllat që lidhin Tajvanin me botën.
Më shumë vende në botë nuk kanë turp të shprehin hapur mbështetjen e tyre për Tajvanin tani. Kjo është rruga që Kosova mund të ndjekë. Dhe Tajvani do të jetë më se i lumtur të bashkohet me Kosovën.
Tajvani dhe Kosova nuk do të luftojnë të vetme. Si Tajvani, edhe Kosova janë partnerë të ngushtë me SHBA-në dhe BE-në. Të dy vendet kemi marrë mbështetje diplomatike dhe ushtarake nga Uashingtoni. Kjo na ka ndihmuar që të forcojmë pozitën në komunitetin ndërkombëtar dhe për të promovuar stabilitetin dhe prosperitetin tanë afatgjatë.
Gjithnjë e më shumë liderë botërorë kanë theksuar hapur rolin strategjik që luan Tajvani.
Tajvani ka shkuar përtej të menduarit tradicional të politikës së Jashtme, duke krijuar një rrugë të re për të fituar besimin dhe mbështetjen nga komuniteti ndërkombëtar.
Prandaj, duke punuar së bashku për të promovuar vlerat demokratike dhe bashkëpunimin ekonomik, dhe duke mbështetur njëri-tjetrin në forumet ndërkombëtare, të dy vendet mund të forcojnë pozitat e tyre dhe të kontribuojnë për një botë më të qëndrueshme dhe demokratike.
Liu Shih-chung është Përfaqësues i Tajvanit për Hungari, Kosovë, Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Mal të Zi.