Kosova dhe Shqipëria nënshkruajnë marrëveshje për përmirësimin e lëvizjes së lirë
Lexohet për: 2 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Kosova dhe Shqipëria kanë nënshkruar protokollin që përmirëson më tej regjimin e lëvizjes së lirë ndërkufitare për banorët e zonave në të dy anët e kufirit. Firma është vënë në Tiranë nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe homologu i tij Bledi Çuçi.

Tashmë qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës, rezidentë në zonat kufitare, mund të qarkullojnë krejt lirshëm në dy anët e kufirit, në një rreze prej 30 km nga të dy krahët, edhe me mjetet e tyre, në pikat e njohura te kalimit kufitar.

Sipas dy ministrave ky protokoll është një tjetër hap përpara në procesin e lehtësimit meqë krahas lirisë së lëvizjes më këmbë shtohet dhe kalimi me automjete për nevoja të jetës së përditshme të këtyre banorëve.

“Kjo nuk do të jetë as marrëveshja e fundit por do të jetë një vazhdimësi e shumë marrëveshjeve të cilat i kemi nënshkruar dhe do të vazhdojmë t’i nënshkruajmë së bashku deri sa të vijë koha që realisht qytetari i dy vendeve të mos ta dijë se ku ndodhet apo ku punon”, ka thënë Sveçla.

Ndërsa ministri i Brendshëm në Shqipëri, Bledi Çuçi ka thënë se do të bëjnë të pamundurën që shtetasit e Kosovës dhe Shqipërisë të qarkullojë lirshëm në të dy anët e kufirit.

“Ju e dini qëndrimin tim që unë do të doja që të mos kishte marrëveshje fare, ose më mirë të kishte vetëm një marrëveshje, të mos kishte kufi fare dhe kjo lëvizje e lirë që ne po u mundësojmë banorëve kufitarë brenda 30 kilometrave të secilit vend, të ishte për gjithë territorin qoftë të Kosovës qoftë të Shqipërisë", ka thënë Çuçi.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024