Kos: Ka zhvillime inkurajuese lidhur me pesë shtetet që s’e njohin Kosovën
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Kos: Ka zhvillime inkurajuese lidhur me pesë shtetet që s’e njohin Kosovën
marta kos1234
20/04/2026 - 19:16
Linku u kopjua

Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, i cilësoi si inkurajuese zhvillimet rreth pesë vendeve evropiane që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Gjatë një mbledhjeje të jashtëzakonshme të Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, raportuesi për Kosovën në PE, Riho Terras, e pyeti komisionaren Kos se çfarë po bën Komisioni Evropian sa i përket pesë shteteve mosnjohëse të Kosovës, kur ka diskutuar së fundi me ta dhe si duhet vepruar në këtë drejtim.

“Sa i përket pesë shteteve mosnjohëse, unë ndjek çfarë po ndodh dhe zhvillimi është inkurajues”, tha shkurt Kos, duke mos dhënë detaje të tjera.

Greqia, Spanja, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja, shtete anëtare të BE-së, nuk e njohin pavarësinë që Kosova shpalli më 2008.

Mospranimi nga këto shtete vlerësohet si pengesë për rrugën evropiane të Kosovës.

Kosova ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022. Megjithatë, ky aplikim ende nuk ka kaluar as në fazën e parë formale, atë të shqyrtimit nga Këshilli i BE-së dhe më pas dërgimit për opinion në Komisionin Evropian.

Gjatë mbledhjes, Terras po ashtu e pyeti Kosin se pse nuk e ka vizituar Kosovën ende që kur ka marr mandatin. Komisionarja evropiane tha se pavarësisht se nuk ka qenë në Kosovë, ajo është në kontakt me autoritetet në Prishtinë.

Ajo theksoi se për shkak të situatës politike, është detyruar që ta shtyjë një vizitë në Kosovë. Megjithatë, Kos në fjalën hyrëse në seancë tha se pret që së shpejti të qëndrojë në Kosovë për reformat që lidhin me Planin e Rritjes.

“Kemi hequr masat dhe presim që Qeveria të vazhdojë me reformat e nevojshme për të përfituar nga mbështetja e BE-së. Së shpejti do të qëndrojë në Prishtinë për ta çuar përpara këtë çështje”, tha ajo, raporton Radio “Evropa e lirë”.

Më 16 prill, Kosova mori 61.8 milionë euro parafinancim, pasi vendi dorëzoi dokumentet e nevojshme në KE dhe ratifikoi marrëveshjet e lidhura me këtë plan.

Pakoja e BE-së për Ballkanin Perëndimor – për periudhën 2024-2027 – është në vlerë të 6 miliardë eurove. Nëse analizohen ndarjet buxhetore, Kosovës i takojnë rreth 882 milionë euro – 253 milionë si grante dhe 629 milionë euro në formë të kredisë – që do të thotë se përfiton më së shumti fonde në rajon për kokë banori.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026