Konstatimet kontradiktore të lidershipit serb lidhur me provat për vrasjen e Ivanoviqit
Lexohet për: 2 min.
96121666253869
1 vit më parë
Linku u kopjua

5-vjetori i vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq, e gjeti të ndarë lidershipin serb. Të hënën kur edhe u përkujtua, Serbia nuk pati çfarë të thoshte për zbardhjen e rastit, ndonëse tri vite më parë presidenti serb Aleksandar Vuciq  pati thënë se janë afër gjetjes së kryerësve.

Ishte kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq ajo që e demantoi Vuciqin, kur në një konferencë për media tha se ende nuk i kanë emrat e vrasësve dhe as dëshmi të mjaftueshme.

"Ne ende nuk i kemi emrat (e vrasësve të O. Ivanoviqit), dhe deri më tash nuk kemi prova të mjaftueshme", ka thënë Bërnabiq.

Ndërsa më 16 janar 2018, ditën e vrasjes së Ivanoviqit, Vuciq në prezencë të Bërnabiqit pati thënë se shumë shpejt do të dilnin me rezultate.

"Nëse ata nuk gjinden nga Policia e Kosovës, ne do t'i gjejmë ata. Nëse ata nuk gjinden nga Policia e Kosovës, atëherë do t'i gjejmë ne dhe do t'i gjykojmë. Ndoshta do të jenë ata që i kanë djegur veturën (O. Ivanoviqit), ndoshta jo. Unë jam i bindur se rezultati do të vijë shpejt", pati thënë Vuciq.

Oliver Ivanoviq u vra me 6 plumba, më 16 janar të vitit 2018. Për përfshirje në vrasjen e Ivanoviqit, e cila kishte ndodhur në janar të 2018-ës, po akuzohen Marko Roshiq, Nedelkjo Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq, Silvana Arsoviq dhe Rade Basara.

Po ashtu, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Policia e Kosovës, më 19 tetor, ka arrestuar M.M. nga komuniteti serb, me dyshimin se ai ishte anëtar i “grupit të organizuar kriminal”, i cili ndërlidhet me vrasjen e politikanit opozitar serb, Oliver Ivanoviq.

Me vrasjen janë ndërlidhen edhe Zheljko Bojiq (shef i operativës të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut), Millan Radoiçiq (nënkryetar i Listës Serbe) dhe Zvonko Vesellinoviq (afarist). Ndaj tyre nuk është ngritur aktakuzë, sepse ata ishin në arrati kur Prokuroria e Kosovës ngriti aktakuzën e parë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025