Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se të gjitha instancat shtetërore duhet t’i përmbahen të kushteve të kryeministrit Albin Kurti për dialogun. Kryeparlamentari nënvizoi se pa u dënuar kryerësit e sulmit terrorist në Banjskë s’mund të ketë paqe në rajon, derisa vuri në pah se qindra persona po përgatiten në Serbi për një sulm të sërishëm në Kosovë.
Konjufca pas takimit me homologen e saj nga Sllovenia, Urska Klakocar Zupançiq, tha se institucionet e Kosovës janë të përgatitura të përballen me çfarëdo sulmi apo provokimi që vjen nga Serbia. Në anën tjetër, kryeparlamentarja sllovene tha se çështjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të zgjidhen përmes dialogut, përndryshe mund të ndodhin gjëra sikurse në Ukrainë. Krahas kësaj, ajo theksoi nevojën që dialogu të përfundojë me njohje reciproke, ndërkaq shtoi se ndërmjetësi i dialogut duhet të jetë nga një vend që njeh sovranitetin e të dy vendeve.
Duke konsideruar të domosdoshme që përgjegjësit e sulmit terrorist në Banjskë të dalin para drejtësisë kosovare, Konjufca tha se ka informacione të sakta se edhe një grup tjetër po përgatitet për sulm ndaj vendit.
Ndërkaq, kryetarja e Kuvendit të Sllovenisë, Urska Klakocar Zupançiq, tha se është e domosdoshme që çështjet mes Kosovës dhe Serbisë të zgjidhen përmes dialogut, pasi përndryshe mund të ndodh sikurse lufta në Ukrainë.
Krahas këtyre, të dy homologët shprehën vullnetin për thellim të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë.
Në vizitën e saj në Kosovë, kryetarja e Kuvendit të Sllovenisë, Urska Klakocar Zupançiq u prit në takim edhe nga presidentja Vjosa Osmani.