Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Glauk Konjufca, tha se problemi kyç në dialogun për normalizim të raporteve me Serbinë është “goditja në mirëbesim”, që sipas tij, i ka dhënë Beogradi, duke shtuar se nuk pret ndonjë nismë për takime të reja gjatë këtij viti.
Konjufca, duke folur për gazetarë në Bruksel, ku mori pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, tha se dy sulmet në Kosovë, ai në Banjskë më 2023 dhe ai në kanalin e Ibër-Lepencit më 2024 dëmtuam mirëbesimin në procesin e normalizimit të raporteve, që ka nisur më 2011 dhe që ndërmjetësohet nga BE-ja.
Për sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, autoritetet kanë dënuar tre të akuzuar, teksa dhjetëra të tjerë gjenden në arrati. Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – ka pranuar përgjegjësinë për organizimin e sulmit, teksa Kosova kërkon vazhdimisht që Serbia ta ekstradojë atë.
Teksa për shpërthimin në kanalin jetik të Ibër-Lepencit në Kosovë po zhvillohet gjykimi ndaj tre të akuzuarve.“Si mundemi ne të ulemi dhe të negociojmë me një palë e cila përderisa ne jemi të ulur në tavolinën e dialogut ata prapa shpine organizojnë aksione të cilat e godasin Kosovën në integritetin territorial dhe sovranitetin e saj. Pra, që të mund të ndodhë dialogu duhet një mirëbesim dhe për t’u fituar mirëbesimi nuk është e lehtë sepse ai ka pësuar goditje të rënda sidomos me këto dy sulmet që ne i kemi parë”, tha Konjufca, transmeton REL.
Takimi i fundit në nivel liderësh mes Kosovës dhe Serbisë ishte zhvilluar në shtator të vitit 2023, disa ditë para sulmit në Banjskë, kur u vra në polic i Kosovës. Gjatë këmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues serbë.
Ndërkaq, homologu serb i Konjufcës, Marko Gjuriq, tha më herët gjatë ditës se në pjesën e parë të takimit u kujtua fakti se Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë nuk është formuar ende, edhe pse ishte një detyrim i nënshkruar në Bruksel.
Kosova dhe Serbia u pajtuan për Asociacionin më 2013 dhe ai përmendet edhe në Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, të cilën Kosova dhe Serbia e kanë pranuar në vitin 2023.
Megjithatë, ky asociacion ende nuk është formuar.
Ajo u tha gazetarëve se ka gatishmëri si nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ashtu edhe nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, për një takim në kuadër të dialogut, por se shpallja e zgjedhjeve të reja të parakohshme në Kosovë e ka shtyrë sërish procesin.
“Ne, në fakt, kishim planifikuar dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës - dialog politik në nivel të lartë. Kishim pëlqimin e të dy liderëve - nga Kosova dhe nga Serbia - por tani po afrohen sërish zgjedhjet në Kosovë, gjë që natyrisht e shtyn procesin”, u shpreh ajo.