Konjufca: Projektet e MCC-së do të ndikojnë në pavarësinë energjetike të Kosovës
Lexohet për: 2 min.
konjufca
2 vite më parë
Linku u kopjua

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim kryeshefen ekzekutive të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit, Alice Albright, të cilën e ka falënderuar për programin "Kompakt" që parasheh ndihmën mbi 200 milionë dollarëshe për ndërtimin e sistemeve akumuluese të energjisë në Kosovë, duke e cilësuar si projektin më të madh energjetik që nga paslufta.

“Në këto kohë të vështira, kur kriza energjetike si rezultat i pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia po përdoret si mjet për të kërcënuar stabilitetin në Evropë dhe më gjerë, miq të dëshmuar si Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në krah të Kosovës. Projektet e MCC-së do të ndikojnë në pavarësinë energjetike të Kosovës, do të diversifikojnë burimet energjetike dhe do të mbështesin avancimin e grave në sektorin e energjisë”, theksoi kryetari Konjufca.

Kryetari i Kuvendit po ashtu i siguroi drejtuesit e MCC-së se institucionet e Republikës së Kosovës, përfshirë Kuvendin, kanë qenë dhe do të jenë miq të MCC-së dhe gjithëherë do t'i mirëpresin projektet që ata i realizojnë në shtetin tonë.

Në anën tjetër, Albright përshëndeti gatishmërinë e Kuvendit të Kosovës për të bashkëpunuar me MCC-në. Ajo vlerësoi punën e mirë që ka bërë Kuvendi i Kosovës dhe shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar sa më ngushtë në ndryshimet e nevojshme legjislative për zbatimin e projekteve të MCC-së.

Sipas njoftimit të Kuvendit, Konjufca dhe kryeshefja e MCC-së u pajtuan për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë.

Në takim morën pjesë edhe Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, Sarah Olmstead, drejtoreshë e MCC për Kosovë, Caitlin Reichart, zv.drejtoreshë, Jonathan Brooks, zv.president për Evropë dhe Dan Petrie, shef i stafit të Alice Albright.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025