Kryeparlamentari Glauk Konjufca deklaroi sot se Kosova është e interesuar të përfitojë nga modeli i arsimimit profesional në Bavari dhe Gjermania në përgjithësi, përmes të cilit tregut të punës në vendin tonë t’i ofrohet kuadër sa më profesional.
Ai gjatë një takimi me delegacionin e deputetëve të CSU-së të Parlamentit të Bavarisë, theksoi se Republika e Kosovës ka një lidhje të veçantë me Gjermaninë, që është forcuar me kontributin e jashtëzakonshëm gjerman përgjatë të gjitha fazave, përpara dhe pas pavarësisë së shtetit tonë.
Bashkëbiseduesit u pajtuan që raportet midis dy vendeve në përgjithësi, duhet të thellohen edhe më tej në një masë të gjerë fushash.
Delegacioni gjerman ka shprehur mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në strukturat euroatlantike, duke përfshirë Këshillin e Evropës, Bashkimin Evropian dhe NATO-n.