Në shënim të Ditës memoriale të policëve të rënë në detyrë, kryeparlamentari i Kosovës Glauk Konjufca zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla dhe ministrja e Jashtme Donika Gërvalla bënë homazhe në vendin ku u vra polici Enver Zymeri.
Kryetari Glauk Konujfca ka vizituar edhe familjen e policit Afrim Bunjaku, në Samadrexhë, i vrarë në Banjska nga strukturat kriminale të Serbisë, si dhe në familjen e policit Enver Zymeri në Duboc të Vushtrrisë, i vrarë në krye të detyrës në Zupç të Zubin Potokut 13 vjet më parë.“Sot jemi më 26 korrik është pikërisht dita e kujtimit të të gjithë policëve të rënë në detyrë. Në të njëjtën kohë ne vizituam edhe familjet e Afrim Bunjakut dhe të Enver Zymerit heronjve tonë të cilët ranë, e dhanë jetën e tyre pikërisht duke e mbrojtur shtetin tonë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës....Bëm homazhe për Afrimin, për Enverin dhe për të gjithë policët e tjerë që kanë rënë në detyrë 23 prej tyre duke e dhënë jetën e tyre dhe duke e dhënë shembullin se për të mbrojtur sigurinë e ardhmërisë tonë, sigurinë e fëmijëve tonë nuk duhet të kursehet as jeta. Gjithmonë institucionet e Republikës së Kosovës do të qëndrojnë pranë familjeve të heronjve tonë, të policëve të tjerë të rënë në detyrë sepse vetëm kështu tregojmë se jemi shtet serioz, shtet i cili e ngreh në nivelin më të lartë shembullin e sakrificës për të mirën tonë të përbashkët”, ka thënë Konjufca.
Kurse, Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani, ka folur për masat e ndërmarra sot me rastin e garave të kërcimit në liqenin e Ujmanit, të cilat mbahen për herë të parë me rastin e shënimit të Ditës memorialë kushtuar policëve të rënë në detyrë.
Ai ndërkaq nuk ka dashur të komentojë lidhur me refuzimin e ofrimit të masës së sigurisë për kryetarin e Komunës së Zveçanit, duke thënë se për këtë duhet të përgjigjet Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Mitrovicës.
Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka përkujtuar policët e rënë në detyrë, duke thënë se ata do të përkujtohen përherë.