Konjufca: BE me padurim pret të bashkëpunojë me Serbinë pro-ruse
Lexohet për: 2 min.
1. Glauk Konjufca 2022 (1)
7 muaj më parë
Linku u kopjua

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca ka reaguar ndaj kryediplomatit evropian Josep Borrell, pasi ky i fundit ka uruar qeverinë e re të Serbisë, pjesë e së cilës janë dy ministra të sanksionuar për korrupsion nga SHBA-ja. Konjufca ka shkruar në rrjetin X, se BE me padurim pret të punojë me qeverinë serbe, ndërkohë që nuk dëshiron të heqë masat ndaj Kosovës, të vendosura vitin e kaluar. “Me keqardhje dëgjohet se BE-ja po pret me padurim të punojë me qeverinë serbe, duke përfshirë zëvendëskryeministrin Aleksandar Vulin, i cili është nën sanksionet e SHBA-së për lidhjet e tij të ngushta me Rusinë, ndërsa ata ende nuk janë të gatshëm të heqin masat e padrejta kundër Kosovës”, shkroi Konjufca.

Zëvendëskryeministri i ri serb Aleksandar Vulin dhe Nenad Popoviq, ministër pa portofol janë pjesë e qeverisë së re serbe, e formuar më 2 maj me në krye Millosh Vuçeviq. Ky i fundit mori menjëherë urime nga Borrell për zgjedhjen në postin e kryeministrit. “Paraprakisht, mezi pres të punoj me ju, ministrin e Punëve të Jashtme, Marko Gjuriq dhe anëtarët e tjerë të qeverisë, në mënyrë që Serbia të ecë përpara në rrugën e saj evropiane”, ka shkruar Borrell në X. Ndryshe, Vulin, një ish-drejtor i agjencisë serbe të sigurisë BIA, u godit nga sanksionet e SHBA në korrik 2023 për akte korrupsioni dhe destabilizimi që kanë lehtësuar aktivitetet malinje të Rusisë në rajon. Popoviq, një biznesmen dhe ish-ministër pa portofol, u shtua në listën e sanksioneve në nëntor 2023 për dyshimin se operonte ose kishte operuar në sektorin elektronik të ekonomisë së Federatës Ruse. SHBA shprehu zhgënjimin që dy individë nën sanksionet amerikane u bënë pjesë e kabinetit qeverisës. Kryeministri Vuçeviq, udhëheqës i Partisë Progresive Serbe (SNS), tha më 1 maj,  se Serbia nuk do të heqë dorë nga miqësia me Rusinë dhe do të vazhdojë politikën e saj për të mos iu bashkuar sanksioneve ndaj saj për shkak të agresionit në Ukrainë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024