Në Prishtinë është mbajtur konferenca shkencore ndërkombëtare kushtuar jetës dhe veprës së Ibrahim Rugovës, e organizuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës dhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë, me pjesëmarrjen e studiuesve, akademikëve dhe personaliteteve të jetës kulturore e shkencore shqiptare.
Konferenca, siç u tha të enjten, synon të trajtojë në mënyrë ndërdisiplinore figurën e Rugovës, duke ndriçuar dimensionin e tij letrar, filozofik, kulturor dhe politik, si një prej figurave më të rëndësishme të historisë moderne shqiptare.
Kryetari i Këshillit Organizues, akademiku Sabri Hamiti, tha se jeta dhe vepra e Rugovës paraqesin një rrugëtim të veçantë intelektual, që nis nga formimi familjar dhe letrar për të kaluar më pas në dimensionin politik dhe shtetformues.
Sipas tij, Rugova kaloi nga fazat e hershme të shkrimit dhe hulumtimit shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës, deri te ndërtimi i autoritetit të tij letrar e filozofik, për t’u shndërruar më vonë në prijës të rezistencës politike të Kosovës.Ai shtoi se kritika e Rugovës mbetet një shkrim i argumentuar dhe një kërkim i vazhdueshëm filozofik e letrar, duke theksuar se pas studimeve në Paris në vitet 1976-1977, Rugova u ndikua edhe nga teoritë moderne të semiologjisë dhe mendimit kritik evropian.
Sipas Hamitit, Rugova ndërtoi një model unik të shkrimit kritik që bashkonte dijen dhe shijen estetike, ndërsa në dimensionin filozofik ai arrinte të lidhte kulturën antike me modernitetin përmes dialogut të vazhdueshëm me kulturën shqiptare.
Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...