Qytetarët që udhëtojnë në relacionin Prishtinë – Shkup dhe anasjelltas, duhet ta shmangin nga orët e pasditës, magjistralen Prishtinë – Ferizaj, dhe ta përdorin Autostradën “Arbën Xhaferi.” Kjo, për të shmangur vonesat dhe ngarkesën në trafik, për shkak se nga ora 16:00 deri në pas mesnatës, policia do të zbatojë masa të veçanta për menaxhimin e trafikut, meqë në Prishtina Mall mbahet një koncert.
Bëhet fjalë për koncertin e këngëtarit të njohur, Yll Limani
Policia bën me dije se për vizitorët e koncertit janë organizuar autobusë falas të Trafikut Urban, me nisje nga Prishtina drejt Prishtina Mall dhe anasjelltas.
Ndërsa, për automjetet që lëvizin nga Prishtina në drejtim të Prishtina Mall, pasi të kalohet rrethi i Marigonës, do të vendosen kona në shiritin e majtë të qarkullimit, i cili do të rezervohet për vizitorët e koncertit.
Po ashtu, për automjetet që vijnë nga Ferizaj në drejtim të Prishtina Mall, do të vendosen kona në shiritin e djathtë, ndërsa hyrja për vizitorët do të realizohet përmes rrugicës në të djathtë, para se të arrihet te rrethi i Prishtina Mall.
Në njofton, Policia kërkon mirëkuptimi dhe bashkëpunim nga qytetarët, si dhe respektimin e udhëzimeve dhe sinjalizimit të përkohshëm rrugor, me qëllim të garantimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së trafikut.