Komuniteti ashkali viktimë e lajmeve të rreme: Na paraqesin si të këqinj
Edukimi Medial
Lexohet për: 7 min.
edukimi-medial
10 muaj më parë
Linku u kopjua

Në një kohë ku jemi të ‘bombarduar’ me informacione që jo çdo herë janë të sakta, të besueshme apo qëllimmira, njohuritë mediatike konsiderohen të jenë shkathtësi të domosdoshme.

Kështu u tha në trajnimin e mbajtur sot, ku mbi 20 nxënës të komunitetit jo shumicë, bashkë me mësimdhënësit e tyre të shkollave fillore dhe atyre të mesme në Podujevë, kanë mësuar për rëndësinë e edukimit mediatik. Ata mësuan se si mos të bien pre e lajmeve të rreme si dhe si të zhvillojnë mendimin e tyre kritik për ato se çfarë u servohet çdo ditë nëpër media.

Nxënësi nga komuniteti jo shumicë, Ermal Ahmeti, në klasën e 10 të shkollës së mesme të lartë teknike “Fan Noli” në Podujevë tha se kohëve të fundit ka parë në media se po qarkullojnë lajme ku thuhet se futbollisti Kylian Mbappe ka nënshkruar kontratën për të kaluar në klubin spanjoll Real Madrid apo në atë të Barcelonës, për çka potencoi se një gjë e tillë nuk është e vërtetë.

Përveç kësaj, Ahmeti tregoi një shembull tjetër kur ishte keq informuar nga mediat, ku ishte thënë se Franca do ta pezullojë liberalizmin e vizave në Kosovë.

“Në media e kam parë një postim të një futbollisti që quhet Kylian Mbappe, është në klubin  Paris Saint-Germain, është raportuar se Mbappe është në Real Madrid, por nuk është e vërtetë. ‘Mbappe do të shkojë në Barcelonë’, kanë thënë. Por, as kjo nuk është e vërtetë, …Po ashtu mediat e kanë shpërndarë se Franca nuk do ta pranojë liberalizimin e vizave në Kosovë, por ai është lajm i pa vërtetë…Trajnimi sot na ka pëlqyer shumë, sepse na ka edukuar, por kisha pasur të dëshirë të mbajmë edhe më shumë aktivitete të tilla dhe trajnime që të na edukojnë edhe më shumë”, tha Ahmeti.

Po ashtu edhe nxënësja nga komuniteti ashkali, në  klasën e 11 në Shkollën e Mesme Ekonomike “Isa Boletini”, Naxhie Rexhepi tha se shpeshherë lexon në media artikuj të cilët përmbajnë informacione të pa vërteta për komunitetin e tyre, për çka shtoi se kjo po ndikon negativisht te ta.

Ajo tha se duke shkruar gjëra të tilla të pa vërteta, “njerëzit po mendojnë se jemi të këqinj”.

Ndërkaq, lidhur me trajnimin e mbajtur sot, Rexhepi tha se ka pasur një ndikim relativisht të madh, duke mësuar fakte të reja që nuk i kanë ditur rreth dezinformimit dhe deep fake.

Rexhepi theksoi se trajnime të tilla duhet mbajtur sa më shpesh, në mënyrë që komuniteti jo shumicë të ketë mundësi të edukohet sa më shumë mediatikisht.

“Ka ndodhur që patën hapur media sociale, faqe të pa vërteta të arsimtarëve, kanë bërë montazha. Ata në fakt nuk kanë qenë, kanë dashur të bëjnë shaka me neve nxënësve…Ka ndodhur për shembull kanë publikuar një fakt për neve që ne nuk jemi, dhe  kjo ndikon tek njerëzit shumë sepse me një fakt të pa vërtetë që nuk është, të tjerët mendojnë që nuk është e vërtetë. Mendojnë se jemi njerëz të këqij, që nuk jemi. Kjo ka ndikuar goxha shumë tek komuniteti ashkali apo komuniteteve tjera…Trajnimi ka qenë shumë i mirë, ka pasur ndikim tek të gjithë ne, kemi mësuar gjëra që nuk i kemi ditur, sa i përket mediave, rrjeteve sociale…Mendoj se në duhet të kemi sa më shpesh trajnime për shkak që ne po edukohemi, po mësohemi gjëra që nuk i kemi ditur”, tha Rexhepi.

Ndërkaq, tutori në shkollën fillore “Ibrahim Rugova”, në Podujevë, Adem Bajrami tha se lajmet e rreme e ndikojnë negativisht tek nxënësit e komunitetit jo shumicë.

Bajrami vlerësoi se trajnimi i sotshëm ishte shumë efikas për nxënësit e këtij komuniteti , ngase sipas tij ata arritën që të mësojnë se jo gjithçka që lexojnë nëpër media është e saktë.

“Lajmet (e rreme) ndikojnë shpesh herë negativisht tek nxënësit. Fatmirësisht ne mësimdhënësit që u japim mësim nxënësve iu tregojmë se çfarë shohin nëpër portale, nëpër media nuk janë të gjitha të vërteta…Unë si mësimdhënës, si tutor që punoj në shkollë i informoj rregullisht nxënësit…Shumica e komuniteteve shpesh herë kanë mangësi, si tek prindërit edhe tek fëmijët por kjo ndikon edhe tek kushtet ekonomike tek fëmijët e komuniteteve…Iu tregoj se shpesh herë lajmet dalin për një ngjarje se tregojnë në komunitet kurse ne në komunitet e dimë që nuk është e vërtetë…Trajnimi ishte efikas besoj që tek fëmijët që kanë marrë pjesë është shumë efikas, sepse tani janë të informuar më gjerësisht”, theksoi Bajrami.

Zyrtari për arsim në Drejtorinë Komunale të Arsimit në Komunën e Podujevës, Selman Gashi tha se trajnime të tilla janë të nevojshme si për nxënësit dhe mësimdhënësit e komunitetit jo shumicë por edhe për vetë zyrtarët komunal.

“Faleminderit organizatorëve për këtë trajnim i cili është i mirëseardhur edhe për neve si zyrtar komunal, po ashtu për mësimdhënësit dhe fëmijët e komuniteteve të cilët u ndanë shumë të kënaqur nga ky trajnim nga i cili morën informata bazike që do t’iu shërbejnë t’i identifikojnë lajmet e rreme që i hasin rrjetet sociale…Lajmet e rreme ndikojnë negativisht tek secila shtresë po ashtu edhe te shtresa e komuniteteve. Mirëpo, ne bazë të asaj që e pamë në këtë trajnim, nxënësit e tri shkollave të mesme të komunës tonë, kanë informacione se cilat mund të jenë lajmet të rreme apo të pa vërteta, dhe informata që i morën nga ky trajnim mendoj se do tu hyjë në punë shumë…Trajnime të tilla janë të mirëseardhura”, tha Gashi.

Ndërkaq, trajnerja e këtij projektit “Edukimi mediatik kundër dezinformimit për komunitetet jo-shumicë në Kosovë”, Linda Baleta tha se njohuritë mediatike janë njohuri dhe shkathtësi të domosdoshme për kohën kur ne po jetojmë.

Ajo konsideroi se është shumë e nevojshme që të investohet në strategji dhe plane që të gjitha grupmoshat të marrin njohuritë e duhura rreth edukimit mediatik.

“Njohuritë mediatike janë njohuri dhe shkathtësi të domosdoshme për kohën kur ne po jetojmë. Kur jemi të rrethuar, të bombarduar me informata të larmishme nga burime të ndryshme, që jo çdo herë janë të sakta, të besueshme, apo qëllim mira. Prandaj, mendoj se është shumë e nevojshme që të investohen burimet, të investohet kohë dhe të ketë strategji, plane se si njohuritë mediatike të bëhen pjesë e diskursit tonë të përditshëm dhe të ketë mundësi ku të gjitha grupmoshat të marrin njohuritë e duhura, për të qenë konsumatorë të përgjegjshëm të përmbajtjeve të ndryshme mediatike”, tha Baleta.

Projekti “Edukimi mediatik kundër dezinformimit për komunitetet jo-shumicë në Kosovë”, mbështetet nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë./Z.Zeneli/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024