Shumë pjesëtarë të komuniteteve rom, ashkalinj e egjiptian po dhunohen, përjashtohen e bullizohen. Kjo ndodh në disa raste edhe për shkak të keqinformimit e etiketimit që po bëhet nga pikërisht mediat.
Organizatat që mbrojnë të drejtat e komuniteteve jo-shumicë thonë se fëmijët e gratë janë grupet më të ndjeshme që po atakohen nga lajme të pavërteta. Ata përmendin edhe raste për të cilat është keq informuar, e pjesëtarët e komuniteteve janë sulmuar apo përjashtuar nga shoqëria.
“Rastet e tilla të dezinformimit kemi pasur për fat të keq në Kosovë e që rasti më i keq është i gruas rome në komunën e Ferizaj, ku si pasojë e dezinformatës së një portali, duke ndarë informata të pasakta mbi atë që kinse e njëjta është duke kidnapuar fëmijë e duke keqtrajtuar e manipuluar me këtë informatë, e njëjta është atakuar tri herë brenda ditës, është rrahur nga të rinjtë e komunitetit shumicë. Ky është një problem ku ne si shtet do të duhej të funksiononim më ndryshe në bazë të legjislacioneve, duke parandaluar dhe verifikuar burimin e informatave. Ndërsa ana tjetër me të cilën atakohet dhe keq menaxhohet prej anës së mediave, për fat të keq, në Kosovë është aspekti i mos njohjes së historisë dhe kulturës së komuniteteve, rom, ashkalinj e egjiptian në Kosovë”, deklaron ai.
Ai shton se ndaj tri komuniteteve po vazhdon të përdoret edhe gjuhë pezhorative.Edhe Fatlum Kryeziu nga organizata “Roma Versitas Kosovo” thotë se keqinformimi ka çuar edhe në raste dhune.
“Lajmet shpesh herë ka ndodhur dhe kanë pasuar edhe me dhunë, edhe me derivate të problematikave të tjera, të cilat kanë çuar direkt në racizëm, apo në paragjykime apo i kanë forcuar paragjykimet në segregacion dhe stigmatizim të komplet komuniteteve apo grupeve më të ndjeshme, siç janë fëmijët dhe gratë...Fëmijët dhe gratë janë grupet më vulnerabël dhe e kanë pak më të vështirë përjetimin prej lajmeve, të cilat po ndodhin. Ka pasur edhe dhunë apo kanë qenë të përjashtuar prej grupeve shoqërore”, shprehet Kryeziu.
Diskriminimi në masë të madhe po nxitet në rrjete sociale, thotë aktivistja Urma Menekshe.
Projekti “Edukimi mediatik kundër dezinformimit për komunitetet jo shumicë në Kosovë”, mbështetet nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë. /Sh.Pajaziti