Në prag të përballjes së shumëpritur ndërmjet Kosovës dhe Turqisë në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë, qytete të ndryshme të vendit kanë ndërmarrë iniciativa për t’ua mundësuar qytetarëve ndjekjen e ndeshjes në hapësira publike, duke krijuar atmosferë mbështetëse për ekipin kombëtar, raporton KosovaPress.
Sipas të dhënave të siguruara,12 komuna të Kosovës kanë konfirmuar organizimin e transmetimeve në sheshe apo ambiente të përbashkëta, ndërsa disa të tjera ende nuk kanë marrë vendim përfundimtar.
Në Junik, organizatorët kanë bërë të ditur se “Transmetimi do të bëhet Live në Sallën e Kuvendit të Komunës, ku të gjithë të interesuarit janë të mirëseardhur të ndjekin këtë përballje të rëndësishme”. Një organizim i ngjashëm është paraparë edhe në Kaçanik, ku ndeshja do të transmetohet në ekran të madh në palestrën sportive, si dhe në Kamenicë, ku qytetarët do të mblidhen në palestrën e qytetit.
Ndërkohë KosovaPress ka tentuar të kontaktoj edhe me komunat Fushë Kosovë, Shtime, Gjakovë, Klinë dhe Lipjan, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk kemi marrë përgjigje zyrtare.
Ndërkaq Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama ka ftuar kryetarët e komunave që të organizojnë vendosjen e ekraneve të mëdha në sheshet e qyteteve të tyre në mënyrë që të gjithë qytetarët të kenë mundësinë të përjetojnë këtë natë simbolike për Kosovën