Shpenzimi i buxhetit gati 100 për qind, miratimi i Planit Zhvillimor Komunal 2023-2031, fillimi i ndërtimit të sheshit qendror, shtëpive për të moshuar, ndërtimi dhe rregullimi i shtretërve të përrenjve dhe lumenjve problematik, po konsiderohen ndër sukseset më të mëdha të arritura në Komunën e Rahovecit gjatë këtij viti.
Kështu tha kryetari i Komunë së Rahovecit, Smajl Latifi në një konferencë për media në të cilën prezantoi punën njëvjeçare, arritjet dhe sfidat e kësaj komune.
Ai cilësoi si lajm të mirë faktin që Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit ka dalur me opinion të pa modifikuar për këtë komunë, për çka tha se komuna udhëhiqet në bazë të ligjit dhe në mënyrë demokratike.
Derisa foli për punën një vjeçare, Latifi tha se kanë filluar me ndërtimin e projektit kompleks dhe shumë funksional, e që është Qendrës për Kulturë, Arte, Rini dhe Inovacion.
Ai potencoi se ndërtimi i sheshit qendror është ndër projektet më komplekse dhe të rëndësishme në historinë e urbanizmit në komunën e Rahovecit.
Përveç këtyre, gjatë konferencës Latifi tha se në Drejtorinë për Shëndetësi ka pasur renovime të brendshme dhe të jashtme. Ai shtoi këtë vit kanë fituar dy grande nga Drejtoria për Shëndetësi dhe Përkujdesje Sociale, si shkas i ofrimeve falas për qytetarët e moshuar, fëmijët nga zero deri në tre vjeç, gratë shtatzëna dhe personave të tjerë në nevojë.
Ndër të tjera, i pari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi foli edhe për sfidat me të cilat po përballen banorët e kësaj komune. Ai tha se kohëve të fundit kanë pasur vështirësi me furnizim të energjisë elektrike për shkak të mbingarkesës, për çka shtoi se si rezultat i kësaj, pasojnë problemet me mungesë të ujit të pijshëm.
Latifi shtoi se kanë vështirësi edhe me operatorë ekonomike, për çka tha se me disa prej tyre i kanë shkëputur kontratat, ndërsa më disa të tjerë po bëjnë përpjekje për rimobilizim në mënyrë që të kryhen punët sipas kontratave të tyre.