Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur i Republikës së Kosovës njofton opinionin publik se Komisioni i Serbisë i ka ndërprerë punimet në lokacionin e shënjuar në afërsi të Minierës në Shtaval, afër Sijenicës, në territorin e Serbisë.
Edhe pse delegacioni i Republikës së Kosovës ka kërkuar në vazhdimësi nga përfaqësuesit e institucioneve të Serbisë, që të ndajnë çdo informatë që mund të kenë në arkivat e tyre, por edhe informatat e siguruara ndërkohë për këtë lokacion, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Gërmimet që kishin filluar më 10 maj nuk kanë rezultuar me gjetjen e vend-varrezës masive me mbetjet mortore të viktimave të luftës, andaj për shkak të specifikave të terrenit dhe lokacioneve të tilla të përdorura nga forcat ushtarake dhe policore serbe gjatë luftës për zhdukjen e kufomave, në përpjekjen e tyre për fshehjen e gjurmëve të krimit, mbetet krucial sigurimi i informatave plotësuese në veçanti nga arkivat e institucioneve të Serbisë.
Po ashtu, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë presim sigurimin e imazheve plotësuese satelitore për një periudhë më të gjerë kohore për lokacionin në fjalë, si një mundësi për të shënjuar më saktësisht lokacionin e varrezës masive, bazuar edhe në përvojat e mëparshme në dy lokacionet e varrezave masive në territorin e Serbisë, si në rastin e Rudnicës dhe rastin e Kizhevakut.